Minutë pas minute/ Vijon numërimi i votave në Kosovë, faqja e KQZ shfaq probleme. Kurti “nxiton” të festojë

schedule00:21 - 10 Shkurt, 2025

schedule 00:21 - 10 Shkurt, 2025

Kosova mbajti të dielën zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, prej së cilës do formohet qeveria e re me mandat 4-vjeçar. Në garë morën pjesë 28 subjekte politike, ndërsa dy milionë qytetarë kishin të drejtë vote.

Këto janë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë. Mbi 100 vëzhgues të BE  panë nga afër procesin me qëllim ruajtjen e standardeve demokratike.

00:18 ‘Qytetarët i kthyen shpinën kësaj qeverie’, PDK: Dolëm forcë e dytë politike

Blerand Stavileci nga PDK-ja, në një konferencë për media pak minuta pas mesnate, tha se kjo parti ka dalë e dyta.

“PDK ka arritur një rezultat të madh. PDK është konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike në vend me mbi 200 mijë vota. Ky është rezultati më i mirë i PDK-së në shumë vite”.

oo:12 Të dhënat e fundit nga KQZ-ja

Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 41.99 për qind të votave, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

23:45“Respektojmë rezultatin”, Abdixhiku: Presim numërimin e votave të diasporës

Kreu i LDK, Lumir Abdixhiku tha në një konferencë për mediat se do të respektojë rezultatin e zgjedhjeve.

“LDK-ja pret t’i fitojë rreth 190 mijë vota nga ky proces zgjedhor. Duhet të jetë diku rreth 20 për qind. Është një rezultat që e respektojmë dhe përgjegjësinë për këtë rezultat e marr unë”, tha Abdixhiku.

23:42 – Problemet në KQZ, Osmani kërkon që çdo votë të numërohet saktë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përgëzon qytetarët që edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike.

Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme, transmeton klankosova.

23:28 – Rezultatet/ KQZ: Kemi probleme me aplikacionin, votat do të mblidhen manualisht

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se KQZ-ja pas shumë përgatitjeve dhe testimeve që kanë bërë, gjithçka ishte gati që sot të transmetojmë rezultatet preliminare. Por, sipas Radoniqit, për arsye se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e të dhënave nuk ka funksionuar dhe nuk po arrijnë që t’i transmetojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike.

23:25 – Kurti “nxiton” të festojë/ Kreu i VV: Të tjerët bashkë nuk bëjnë sa ne

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se partia e tij është fituese e zgjedhjeve në Kosovë. Në një deklaratë për mediat, ai e cilësoi rezultatin e deritanishëm si konfirmim për qeverisjen e tij.

21:40- Ngec faqja e KQZ në Kosovë, nuk shfaqen përditësimet e votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se platforma ‘online’ ku po shfaqen rezultatet preliminare ka probleme teknike. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se të dhënat po mblidhen nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ-ja.

20:43: Fillon procesi i numërimit të votave në Kosovë, ja kush kryeson pas numërimit të kutive të para

Numërohen 5 përqind të votave pas mbylljes së votimit në Kosovë. Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 37 përqind, ndjekur nga PDK me 25%.

19:45- Fillon procesi i numërimit të votave

Ka filluar procesi i numërimit të votave, pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00.

19:35: KQZ jep shifrat: Pjesëmarrja në zgjedhje 40.04 për qind

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhje. Sipas tij, në zgjedhjet e 9 shkurtit morën pjesë 40.04 % e qytetarëve ose e thënë ndryshe 789,172 votues.

Sakaq, vihet re se ka një ulje të pjesëmarrjes me 7 % në krahasim me 2021. Para katër vitesh, pjesëmarrja ishte 46.90% apo 827 mijë e 984 votues nga 1 milion e 794 mijë e 862 votues.

19:05-Exit-Poll-et: Këto janë rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë

Kosova ka mbyllur zyrtarisht në orën 19:00 procesin e votimit. Po ashtu janë publikuar edhe Exit-Poll-et e para për rezultatin e zgjedhjeve. Exit-polli i Klan Kosovës e ka nxjerrë LVV-në të parën, por me rënie të madhe të votave nga zgjedhjet e 2021 – me 38.2 %.

E dyta parashikohet të jetë PDK-ja me 22.4 %.

LDK e treta me 20.1 %.

AAK me 7.6 %, si e katërta me radhë.

Ora 19:00- Zgjedhjet në Kosovë, mbyllet orari zyrtar i votimit

Ka përfunduar orari zyrtar i procesit të votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare. Gazetarja e ABC News, Habi Hoxha, raporton se KQZ pritet të japë detaje se si do të vijohet në qendrat ku ka ende radhë në qendrat e votimit.

Ora 16:47 – Zgjedhjet në Kosovë, pjesëmarrja në veri/ KQZ: Interes më i lartë në Zveçan, më pak në Mitrovicën e Veriut

Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë ka përditësuar të dhënat më të fundit për pjesëmarrjen e votuesve.

Në katër komunat veriore, deri në orën 16:13 interesimi më i madh i qytetarëve për të votuar ka qenë në Zveçan, ndërsa më së paku në Mitrovicën e Veriut.

0ra 16:00- KQZ publikon shifrat e pjesëmarrjes/ Rritet numri i votuesve, mbi 28% deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës thekson se deri në orën 15:00, kanë votuar 28.73% e votuesve. Sipas zëdhënësit të KQZ, Valmir Elezi, krahasuar me vitin 2021, janë rreth 10 mijë votues më pak.

Sakaq, para katër vitesh, deri në orën 15:00 kanë ushtruar të drejtën e votës  567 934 qytetarë apo 32.32 për qind.

16:00- FOTOLAJM/ Kosovë, pacientët e shtruar në spital ushtrojnë të drejtën e votës

Në Kosovë prej orës 07:00 të mëngjesit vazhdon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare. Krahas qytetarëve të tjerë, të drejtën e votës e kanë ushtruar dhe pacientët e shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ora 15:30- Diaspora votoi/ Analisti: PDK dhe LDK kanë mobilizuar votuesit, Kosova ka ftohje raportesh me SHBA gjatë qeverisjes së Kurtit

Analisti Lulzim Veliu theksoi se marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA janë ftohur gjatë mandatit të Albin Kurtit dhe kjo klimë nuk i shërben aspak Kosovës.

Ora 15: 10- Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, pjesëmarrja mbi 17 për qind deri në orën 15:00

Sipas raportimit të fundit të KQZ, pjesëmarrja në votime është 28.32 për qind.

Numri më i ulët i votuesve është ën Mitrovicën e Veriut. Ndërkohë në disa qendra votimi ka pasur probleme me internetin dhe kamera që cënojnë të drejtën e votuesve.

Ora 14:49 – KQZ nis procesin e verifikimit të votave të Diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka nis verifikimin e votave përmes postës.

Sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.

Derisa, numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve.

Ora 12:13 – Zgjedhjet, voton presidentja Osmani: Ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për demokracinë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shpreson që e mbara t’i prijë Kosovës, dhe që procesin e zgjedhjeve e sheh si shumë të rëndësishëm.

Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ka votuar në një qendër votimi në Prishtinë.

“Duhet ta mbajmë të tillë nivelin e demokracisë, dhe duhet ta zhvillojmë edhe më tej. Sot është ditë vendimtare që të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të japin kontribut në këtë drejtim, duke marrë pjesë në procesin më të rëndësishëm, nga i cili përcaktohet parlamenti i ardhshëm, pastaj edhe institucionet tjera, dhe merren vendime që kanë rëndësi për kualitetin e jetës së tyre”, tha ajo.

Ora 11:00 – Zgjedhjet parlamentare/ Kosova voton, pjesëmarrja 8.60 përqind deri në orën 11:00

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00, pjesëmarrja ka qenë 8.33 përqind, apo 169,435 votues.

Ora 10:39 – Zgjedhjet në Kosovë/ Voton kandidati për kryeministër Haradinaj, për herë të parë votojnë dy fëmijët e tij

Procesi i votimit në Kosovë ka nisur qysh herët në mëngjes ku në qendrën e votimit në shkollën e mesme ‘Ali Sokoli’ në Prishtinë votoi Ramush Haradinaj.

Kandidati për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese është shoqëruar nga bashkëshortja e tij Anita Haradinaj së bashku me dy fëmijët e tyre, Gjini dhe Hana.

Për herë të parë votuan dy fëmijët e tij në procesin zgjedhor. Haradinaj i cili është kandidat për kryeministër nga Koalicioni për Kosovën Fituese, ka thënë se procesi i votimit ka filluar mirë duke i ftuar qytetarët të dalin dhe votojnë.

Ora 10:02 – Mbi 100 vëzhgues të BE-së në Kosovë, Loiseau: Të përkushtuar të monitorojmë procesin zgjedhor

Shefja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian ka deklaruar se me 104 vëzhgues të BE-së në terren, janë duke monitoruar nga afër procesin zgjedhor.

Ajo ka theksuar se kanë për qëllim të vlerësojnë nëse qendrat e votimit u hapen me kohë, nëse materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor.

Derisa ka bërë të ditur se një vlerësim i plotë do të jepet në një konferencë për media të martën.

Ora 09:42 – Kosovë/ Voton kandidati për kryeministër nga PDK, Bedri Hamza: Jam optimist, sovrani vendos

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka votuar në Mitrovicë, në qendrën e votimit në “Andon Zako”.

Bashkë me Hamzën, ishte edhe bashkëshortja e tij.

“Në fund sovrani vendos, qytetarët votojnë. Për mua çdo rezultat që votojnë qytetarët e Kosovës është i pranueshëm, jam optimist. Ka qenë një fushatë e gjatë, por jam i lumtur që gjatë gjithë kohës e kemi ruajtur pozitivitetin”.

Ora 08:43 – Kosovë, KQZ: Në të gjitha qendrat e votimit ka nisur procesi zgjedhor

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, tha se në të gjitha qendrat e votimit në vend, procesi i votimit ka filluar. Sipas tij, i gjithë materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë.

Gjatë konferencës së parë për media të KQZ-së, ai iu bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe tha se të drejtë vote brenda Kosovës kanë mbi 1.9 milion qytetarë.

Elezi u kujtoi qytetarëve vendimin e KQZ-së se ata mund të identifikohen në qendrat e votimit me letërnjoftim me afat të skaduar.

Ora 08:08 – Zgjedhjet parlamentare në Kosovë/ Procesi i votimit në Prishtinë nuk ka nisur ende, shkak problemet teknike

Në qendrën e votimit në Prishtinë, e cila është përcaktuar të jetë në Fakultetin e Edukimit, procesi i votimit nuk ka nisur në orën 07:00.

Menaxheri i qendrës bëri me dije se ishin përballur me disa probleme teknike.

Ora 07:47 – Kosovë/ Nis procesi i votimit në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe

Procesi i votimit ka nisur edhe në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe.

Serbët në veri gjerësisht kishin bojkotuar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat në veri, pasi Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, u tërhoq nga institucionet e Kosovës.

Kjo është hera e parë që ata u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.

Atyre u është bashkëngjitur kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili edhe ai ka votuar.

Ora 07:30 – Vota e diasporës për zgjedhjet parlamentare në Kosovë/ Përfundon procesi i votimit në Washington

Në ambasadën e Kosovës në Washington dhe Konsullatën në New York, ka përfunduar procesi zgjedhor, ku diaspora ka ushtruar të drejtën e votës.

Kjo është hera e parë, që qytetarëve të Kosovës, iu lejohet të ushtrojnë të drejtën e votës në një objekt diplomatik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë jashtë vendit, patën të drejtë të votojnë në 43 vendvotime në Ambasada dhe Konsullata të Kosovës në botë, një ditë para zgjedhjeve.

Ora 07:00 – Zgjedhjet parlamentare/ Kosova voton, hapen qendrat e votimit

Në orën 07:00 janë hapur qendrat e votimit në Kosovë për zgjedhjet parlamentare dhe ato do të jenë të hapura deri në orën 19:00.

Mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë të drejtë vote.

Ata do të zgjedhin përbërjen e re parlamentare, e cila më pas zgjedh ekzekutivin e ri të Kosovës./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!