Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Stafi i Amazon paralajmëron grevë, punonjësit protestojnë në mbi 20 vende për paga dhe kushte më të mira pune

schedule09:00 - 27 Nëntor, 2026

schedule 09:00 - 27 Nëntor, 2026

Punonjësit e Amazon në më shumë se 20 vende të botës kanë paralajmëruar greva dhe protesta gjatë fundjavës së të Premtes së Zezë dhe deri në Cyber Monday. Nën moton “Make Amazon Pay”, ata kërkojnë paga më të drejta, kushte më të sigurta pune dhe njohjen e të drejtave sindikale.

Aksioni ndërkombëtar organizohet nga UNI Global Union dhe Progressive International, në një nga periudhat më të ngarkuara të shitjeve për gjigantin amerikan të tregtisë online.

Greva dhe tubime proteste janë planifikuar në magazina, qendra shpërndarjeje dhe zyra të kompanisë në vende të ndryshme, përfshirë SHBA-në, Gjermaninë, Indinë, Kanadanë dhe Japoninë.



Në Gjermani, punonjësit e 11 qendrave të Amazon do të hyjnë në grevë, me thirrjen e sindikatës së shërbimeve Verdi, e cila kërkon njohjen e marrëveshjeve kolektive dhe kushte më të mira pune.

Sindikalistët akuzojnë kompaninë për procese pune monotone dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të punonjësve përmes sistemeve dixhitale të monitorimit.

Në dëshmitë e publikuara nga fushata “Make Amazon Pay”, punonjës nga vende të ndryshme kanë ngritur shqetësime për presionin në vendin e punës. Një punonjës në Indi pretendon se menaxhmenti monitoron çdo lëvizje të tij, përfshirë pushimet për të pirë ujë apo për të përdorur tualetin.

Ai thotë se për të përmbushur objektivat duhet të përshkojë nga 25 deri në 30 kilometra gjatë një turni 10-orësh dhe se nuk i lejohet të ulet.

Edhe punonjës të tjerë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA kanë denoncuar presionin e vazhdueshëm dhe ndikimin e punës në shëndetin e tyre.

Nga ana tjetër, Amazon ka hedhur poshtë akuzat. Një zëdhënës i kompanisë në Gjermani deklaroi se ajo nuk përdor gjurmues dixhitalë për monitorimin e punonjësve, por sisteme të menaxhimit të inventarit, të zakonshme në këtë industri.

Në një reagim tjetër, kompania theksoi se u ofron mbi 1.5 milionë punonjësve në mbarë botën paga konkurruese, përfitime dhe një mjedis modern e të sigurt pune.

Fushata “Make Amazon Pay” synon të ushtrojë presion ndaj kompanisë për të negociuar me sindikatat dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të punonjësve, pikërisht në periudhën kur aktiviteti tregtar i Amazon arrin kulmin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!