Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka refuzuar në kufi tre ngarkesa me produkte ushqimore gjatë muajit nëntor 2026, duke urdhëruar kthimin e tyre në vendet e origjinës. Bëhet fjalë për 54 ton mish pule të importuar nga Brazili dhe 25 ton produkte gruri nga Kosova, për të cilat janë konstatuar problematika në dokumentacionin shoqërues dhe etiketimin e produkteve.
Sipas njoftimit të AKU-së, gjatë muajit nëntor në Pikat e Inspektimit Kufitar janë regjistruar gjithsej 5 277 ngarkesa të importuara, nga të cilat 1 276 me origjinë shtazore, 2 834 me origjinë joshtazore dhe 1 167 ngarkesa me produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore.
Gjatë kësaj periudhe janë marrë gjithsej 167 mostra për analiza laboratorike, nga të cilat, deri më tani, nuk janë evidentuar raste jokonforme.
Dy nga ngarkesat e refuzuara janë konstatuar në Portin e Durrësit. Bëhet fjalë për 54 ton mish pule, të importuar nga kompania ZICO sh.a. nga Brazili. Vendimi për kthimin e tyre është marrë pasi të dhënat në certifikatat shoqëruese nuk përputheshin me ato të regjistruara në sistem.
Ndërsa në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë është refuzuar një ngarkesë e importuar nga subjekti Mirela Bërdufi, me 7 ton miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 ton produkt “Hime gruri”. Gjatë kontrollit janë konstatuar mungesa të dokumentacionit shoqërues, paqartësi në datat e prodhimit dhe skadencës, mospërputhje në nivelin e proteinave, si dhe mungesë të numrit LOT dhe analizës për aflatoksinën.
AKU bën me dije se të gjitha ngarkesat e refuzuara do të kthehen në vendet e origjinës, ndërsa thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.



