Liderët e Bashkimit Evropian nuk kanë arritur dakordësi për madhësinë e buxhetit shumëvjeçar për periudhën 2028-2034. Pas samitit të jashtëzakonshëm në Bruksel, Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, u shpreh optimist për arritjen e një kompromisi deri në fund të vitit 2026.
Costa bëri të ditur se shumica e vendeve anëtare kundërshtojnë shkurtimet e mëtejshme të buxhetit, veçanërisht në fondet për Politikën e Kohezionit dhe bujqësinë. Disa shtete kanë kërkuar reduktime të tjera, ndërsa të tjera kanë propozuar rishikimin e shkurtimeve të parashikuara më herët.
Ai mbrojti gjithashtu mënyrën e zhvillimit të negociatave, duke vlerësuar se takimet në grupe më të vogla ndihmuan në përcaktimin e parametrave për një marrëveshje të mundshme në dhjetor.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve, kreu i Këshillit Evropian theksoi se arritja e një marrëveshjeje mbetet e domosdoshme, pasi miratimi i buxhetit kërkon unanimitetin e të gjitha vendeve anëtare.
“Evropa nuk mund të përballojë dështimin dhe na duhet një buxhet i ri nga 1 janari 2028”, deklaroi Costa.
Udhëheqësit evropianë synojnë të finalizojnë marrëveshjen deri në fund të vitit 2026, në mënyrë që kuadri i ri financiar shumëvjeçar të hyjë në fuqi në afatin e parashikuar.



