Një 34-vjeçar është arrestuar në kuadër të operacionit policor “Shkolla të Pastra”, pasi dyshohet se shpërndante kokainë pranë shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë në Kamëz dhe Fushë-Krujë. Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 900 gramë kokainë, një automjet dhe një celular.
Sipas Policisë, në automjetin tip “Toyota Yaris” që drejtonte 34-vjeçari, në bulevardin “Nënë Tereza”, u gjet një pako me 505.6 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën edhe 397 gramë të tjera të së njëjtës lëndë, duke e çuar sasinë totale të sekuestruar në mbi 900 gramë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se lënda narkotike ishte siguruar me qëllim shitjen pranë shkollave dhe ambienteve të frekuentuara nga të rinjtë në Kamëz dhe Fushë-Krujë.
Policia bën me dije se 34-vjeçari, me inicialet D.V., u arrestua në flagrancë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Operacioni “Shkolla të Pastra” vijon në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në institucionet arsimore dhe parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike te të rinjtë.



