Studentët kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre

schedule21:50 - 8 Dhjetor, 2018

schedule 21:50 - 8 Dhjetor, 2018

Në Ditën e Rinisë revolta e studentëve të universiteteve publike nisi nga Korpusi Universitar në Tiranë.

Me thirrje të dhjetoristëve 90 marshuan drejt Ministrisë së Arsimit. Këtë tetë dhjetor kryeministrinë e quajten zonë të ndalur dhe për të shmangur çdo përballje me partitë politike morën rrugën e ish bllokut. Mesazhe i dërguan dhe qytetarëve të cilët nuk ja kursyen mbështetjen. Ndërsa përpara Ministrisë së Arsimit nuk i prisinin vetëm studentë. Pankartave në kangjellat e ministrisë në ditën e katërt të protestës, studentët i shtuan edhe fotografitë e pedagogëve për të cilët kërkojnë Vetting. Ndërkohë që studentët përsërisnin listën e dyfishuar të kërkesave përpara ministrisë një grup pedagogësh të diplmomuar jashtë vendit, pak metra larg tyre, me dyer të mbyllura nisën hartimin e platformës për një reformë të thellë në arsim.

Të tjerë profesorë ishin në shesh. Mesdita solli tension. Banorët e Unazës së Re tentuan ti bashkohen protestës së studentëve. Ndërsa policia u detyrua ta ndante rrugën e Durrësit në dy pjesë. Vetem pasi hoqën jelekët një pjesë e banorëve të Unazës së Re iu bashkuan protestës së studentëve. Ndërsa studentët vijonin thirrjet e tyre para ministrisë, ministrja Lindita Nikolla ka tentuar të lerë zyrën e saj, por është mbrapsur nga masa e të rinjve. Studentët refuzojnë negociatat dhe kërkojnë vendimmarrje për kërkesat e tyre. Ata i kanë lënë afat ministres së arsimit deri ditën e martë kur dhe paralajmërojnë bojkot të mësimit në çdo fakultet dhe një tjetër protestë masive përpara ministrisë./abcnews.al