Stuhitë e fuqishme kanë përfshirë disa rajone në lindje dhe në perëndim të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar probleme të shumta në transport, përmbytje dhe dëme materiale.
Pasojat më të mëdha janë ndjerë në trafikun ajror ku jane regjistruar më shumë se 6 mijë vonesa në fluturime dhe rreth 150 anulime.
Ndërkohë, në lindje të SHBA-së, reshjet e dendura dhe erërat e forta kanë detyruar organizatorët të shtyjnë për herë të parë paradën tradicionale të Ditës së Falënderimeve të Macy’s. Aktiviteti këtë vit shënonte edicionin e tij të 100-të.
Situata paraqitet veçanërisht shqetësuese në perëndim të vendit, ku dallgët e fuqishme kanë shkaktuar përmbytje dhe dëme në infrastrukturën bregdetare.
Në Pacifica, në jug të San Franciskos, dallgët kanë shembur një pjesë të molit, ndërsa në zonën e San Diegos batica e lartë ka çuar nivelin e ujit në shifra rekord.
Edhe rajonet lindore përballen me rrezik të shtuar. Parashikimet paralajmërojnë se niveli i ujit mund të arrijë vlerat më të larta që prej super-stuhisë Sandy, e cila goditi rajonin në vitin 2012.
Përveç përmbytjeve, erërat e forta përbëjnë një tjetër shqetësim për autoritetet. Disa zona të Delauerit dhe Nju Xhersit janë në rrezik të konsiderueshëm për ndërprerje të energjisë elektrike.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat e rrezikuara, ndërsa paralajmërojnë se kushtet e paqëndrueshme atmosferike mund të vijojnë të ndikojnë në transport, infrastrukturë dhe aktivitetet festive gjatë Ditës së Falënderimeve./abcnews.al



