Policia e Tiranës ka vendosur 21 masa administrative ndaj personave që bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas njoftimit të Policisë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, janë plotësuar 21 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative.
Shtetasit në fjalë dyshohet se kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë përmes megafonit.
Për secilin prej tyre është vendosur gjobë në vlerën 5 mijë lekë.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


