Në dhjetë vitet e ardhshme synohet që numri të punësuarve në sektorin e turizmit të arrijë në 250 mijë. Objektivin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me të rinj të punësuar në një prej komplekseve të rinj turistikë në bregdetin e Durrësit.
Sezoni turistik nuk është vetëm për të pushuar por edhe për të punuar. Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Durrësin për të dhënë shifrat që janë e duhet të arrihen pas 10 vjetësh për të punësuarit në fushën e turizmit.
Edi Rama: “Vitin e kaluar turizmi ka pasur 42 mijë të punësuar të regjistruar. Në 10 vitet e ardhshme do të shkojë në 250 mijë”.
Më shumë mundësi punësimi kanë ata që mbarojnë arsimin profesional tha kryeministri Rama i cili u u tregoi gjithashtu edhe për nivelin e pagave.
Edi Rama: “Ka vende pune të të gjitha llojeve, por rroga 150 mijë këtu nuk ka edhe pse rroga minimale është e ulët, por jo 150 mijë lekë. Ne nuk mund të rrisim rrogat sa e kemi dëshirën. Ne duhet të rrisim më tutje ekonominë dhe kjo do të rrisë edhe më tej rrogat”.
Vende pune ka për financierë, teknologë dhe ekonomisë tha kreu i qeverisë, i cili u kujtoi se nuk është puna që të të troket në shtëpi, por e kundërta.
Edi Rama: “Por puna nuk vjen të shtëpia që të thotë ‘çohu nga gjumi të pimë një kafe një herë dhe të shohim ça do bëjmë’. Në sektorin e turizmit ka një potencial të jashtëzakonshëm”.
Në një nga komplekset turistikë të bregdetit të Durrësit, ku 60 përqind e të punësuarëve vijnë nga shkollat e arsimit profesional, kryeministri Edi Rama risolli në vëmendje mendësinë e gabur të shqiptarëve në dekadat e fundit.
Edi Rama: “Këtu janë ardhur 6 kuzhinier turq, ndërsa ne menduam për 20 e ca vite vetëm si për juristë. Edhe Mali i Zi është para nesh, se këtu u lejua kaosi në vijën bregdetare”.
Kreu i qeverisë përsëriti ambicjen e qeverisë për të arritur shifrën e 10 milionë turistëve brenda 5 viteve por pa anashkaluar edhe domosdoshmërinë e investimeve pasi vendi ynë ka një numër të ulët shtretërish.