Është thënë prej kohësh tashmë se rezultati i zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit do të tregonte edhe mbështetjen që ka secili nga grupet brenda PD-së, që pas përçarjes së madhe në shtator.
Dhe, në një kohë kur po numërohen kutitë e fundit në Shkodër, Sali Berisha ka shpallur fitoren ndaj liderit të demokratëve Lulzim Basha.
Në një deklaratë për mediat, Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike falenderon demokratët dhe anëtarët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” ” për mbështetjen e tyre të madhe në këto zgjedhje.” Grupi i ish-kryeministrit Sali Berisha ka shpallur tashmë fitoren edhe në Shkodër ku kandidati i tyre Bardh Spahia kryeson bindshëm ndaj kandidatit demokrat Xhemal Bushati dhe asaj të PS, Majlinda Angoni.
Berisha sjell në vëmendje se në këto zgjedhje lëvizja që ai udhëheq u përball jo vetëm me qeverinë e Edi Ramës, por edhe me ata që ai i cilëson si shtojca të tij duke nënkuptuar Partinë Demokratike zyrtare.
Në deklaratë nuk kursehet ironia as për kryedemokratin Lulzim Basha, i cili në një dalje për mediat më herët gjatë ditës u shpreh se nuk ka humbur asnjë garë, por veçse është përballur me “masakra zgjedhore.”
“Vota e qartë e 6 Marsit tregoi se demokratët nuk duan t’i shkojnë pas në greminë, një kllouni që pas 6 humbjesh deklaron se nuk ka humbur kurrë dhe që provon se nuk do të arrijë të kalojë dot as pragun elektoral.”
Komisioni i Rithemelimit ka u bën po ashtu thirrje të gjithë anëtarëve të PD që t’i bashkohen “vullnetin e popullit opozitar për një Parti Demokratike të Rithemeluar.”
Deklaratë!
“Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike falenderon me mirënjohje të thellë, të gjithë demokratët dhe anëtarët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për mbështetjen e tyre të madhe në zgjedhjet e 6 Marsit.
Një falenderim për Shkodrën dhe qytetarët e saj të cilët me mbështetjen e tyre për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Bardh Spahia, dëshmuan se Shkodra si gjithnjë mbetet Rozafa e lirisë së shqiptarëve.
Në këto zgjedhje ne u përballëm jo vetëm me kreun e Meduzës, por edhe me shtojcat e tij, që duan ta mbajnë Partinë Demokratike opozitë fasadë, peng të regjimit.
Gjithsesi, vota e popullit opozitar tregoi qartë se demokratët dhe opozita e vërtetë nuk mund të nënshtrohen dhe nuk mund të merren peng. Ajo është gati për t’u ringritur plot besim dhe shpresë.
Vota e qartë e 6 Marsit tregoi se demokratët nuk duan t’i shkojnë pas në greminë, një kllouni që pas 6 humbjesh deklaron se nuk ka humbur kurrë dhe që provon se nuk do të arrijë të kalojë dot as pragun elektoral.
Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, opozita e vetme dhe e vërtetë:
I bën thirrje të gjithë anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve, deputetëve që janë në Partinë Demokratike për shkak të idealeve dhe jo të interesave, t’i bashkohen vullnetit të popullit opozitar për një Parti Demokratike të Rithemeluar më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar!”
Kujtojmë se nga rezultatet paraprake të publikuara deri më tani rezulton se nga zgjedhjet në 6 bashki të vendit, pesë janë fituar nga partia në pushtet kurse Shkodra vijon të votojë djathtas vetëm se kësaj herë votat kanë shkuar për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Bardh Spahia.
Sa i përket garës mes opozitës, Partia Demokratike zyrtare duket se do të dalë forcë e tretë pasi kandidatët e grupimit të Berishës kanë siguruar më shumë mbështetje. Kryedemokrati Lulzim Basha e ka justifikuar rezultatin me pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në këto zgjedhje (30%). /abcnews.al/