Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Balla-opozitës: Koha për të lënë pas dhunën, retorikën agresive dhe molotovët. PD të distancohet përfundimisht

schedule11:51 - 26 Nëntor, 2026

schedule 11:51 - 26 Nëntor, 2026

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike që të distancohet nga dhuna dhe të bëhet pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për integrimin europian të Shqipërisë dhe përmbylljen e reformave të rëndësishme.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla theksoi se “koha është tani për t’i lënë mbrapa diskutimet pa vlerë, retorikën agresive dhe dhunën”, duke nënvizuar se integrimi në Bashkimin Europian duhet të jetë një projekt kombëtar, ku të gjitha forcat politike kanë mundësinë të kontribuojnë.

“Ne Partia Socialiste e Shqipërisë e kemi dënuar diktaturën më 12 qershor 1991 dhe prej asaj dite jemi të angazhuar çdo ditë për projektin më të rëndësishëm të historisë së re të Shqipërisë, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Sot është dita që edhe ju, Partia Demokratike e Shqipërisë, nëse doni, të punoni bashkë me ne për këtë projekt historik, jeni të mirëpritur”, u shpreh Balla.



Ai akuzoi opozitën se nuk ka mbështetur me votë ligjet që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me Acquis Communautaire, ndërsa kërkoi angazhim konkret për reformat që lidhen me integrimin europian.

Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Balla ia kushtoi reformës zgjedhore, duke kërkuar depolitizimin e komisioneve zgjedhore, miratimin e ligjit për financimin e partive politike dhe zgjerimin e përdorimit të teknologjisë në proceset zgjedhore, në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027.

“Koha kur partitë politike vetë votojnë e vetë numërojnë duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, deklaroi Balla, duke propozuar gjithashtu që numërimi i votave të bëhet në qendrat e votimit, në mënyrë që rezultatet të mësohen brenda natës.

Në përfundim, Balla u ndal edhe te ndryshimet ligjore për tubimet, duke theksuar se qëndrimi i mazhorancës do të bëhet i qartë gjatë diskutimeve në Kuvend. Ai rikujtoi se në rendin e ditës është edhe votimi i buxhetit të vitit 2027, të cilin e cilësoi si më të madhin në historinë e vendit.

Fjala e plotë:

Ta mbash me shëndet dhe jetë të gjatë inshallah përpara. Po sekretarët e partisë mos i shiko nga ne. Ne Partia Socialiste e Shqipërisë e kemi dënuar diktaturën më 12 qershor 1991 dhe prej asaj dite jemi të angazhuar çdo ditë për projektin më të rëndësishëm të historisë së re të Shqipërisë, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Dhe sot është dita që edhe ju, Partia Demokratike e Shqipërisë, nëse doni, të punoni bashkë me ne për këtë projekt historik, jeni të mirëpritur. Sot mbahet Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian në praninë e komisionerës për zgjerimin Marta Kos. Unë besoj që mesazhi i përbashkët i të gjitha forcave politike duhet të jetë pikërisht puna për të çuar përpara të gjitha reformat. Ju kujtoj, duke qenë se jemi në momentin që po diskutojmë programin dhe kalendarin për javët e fundit të këtij sesioni parlamentar, se ende deri më sot Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka votuar qoftë edhe 1 ligj të vetëm që lidhet me detyrat tona të përbashkëta, të përafrimit të legjislacionit me Acquis Communautaire, dhe me plotësimin dhe përmbushjen e reformave që Shqipëria jonë e përbashkët ka në këtë fazë historike. Koha është tani për t’i lënë mbrapa diskutimet pa vlerë. Retorikën agresive. Dhunën. Dhe mos e harroni, për asnjë moment, qytetarët shqiptarë, shqiptarët nuk i merrni dot për budallenj; dhunën në rrugë kundër institucioneve në këto 35 vite e frymëzon vetëm 1 njeri, dhe ai është sekretari i partisë brenda jush. Distancohuni! Distancohuni përfundimisht nga dhuna.

Nuk mund të jetë Partia Demokratike ajo që lindi si aspiratë e të rinjve shqiptarë për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa sot, e vetmja ndërmarrje, magazinë prodhimi molotovësh. E keni degjeneruar Partinë Demokratike në një fabrikë prodhimi artizanal molotovësh.

Dhe sa i përket kalendarit, zotëri, apo programit, ju dëgjova me vëmendje. Në fjalën tuaj nuk kishit asgjë për kalendarin dhe programin. Sepse për ta mësuar, akti normativ për të cilin ju folët është sot në rendin e ditës. Dhe akti normativ, koleg, përfshihet automatikisht. Ne do të kemi diskutim të plotë për këtë akt normativ, i cili e çon legjislacionin shqiptar për tubimet në një nivel të përafërt me atë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke ju kujtuar se në vendet e Bashkimit Europian ato penalitete janë shumë më të ashpra. Ne jemi shumë larg ende. Ju kam dëgjuar teksa sulmonit policinë e shtetit.

Duke agresuar edhe ju personalisht, apo të tjerë ndër ju, apo të frymëzuar ndër ju. Mos e harroni kurrë: policia e shtetit është aty për të bërë detyrën. Policia e shtetit është aty për të ruajtur rendin dhe qetësinë. Për të garantuar nga mëngjesi deri në mbrëmje jetën e fëmijëve, ndërsa shkojnë në shkollë, kthehen nga shkolla. Për të garantuar pronën publike dhe ajo që ka ndodhur nga 13 tetori e më këndej është një fakt tanimë publik, jo vetëm këtu, por në Bruksel. E vetmja parti politike sot në Europë që nuk është distancuar nga dhuna, jeni vetëm ju. Brenda familjes tuaj të Partive Popullore, nëse doni.

Dhuna nuk është argument. Dhuna nuk është instrument në demokraci. Demokracia ka instrumentat e veta. Përdorni sa herë doni, por mos harroni që demokracia ngrihet mbi votë. Në 9 maj zhvillohen zgjedhjet vendore. Partia Demokratike është e ftuar prej nesh, si mazhorancë parlamentare, të punojë bashkë me ne për të adresuar të gjitha ndryshimet që lidhen me kodin zgjedhor. Ne duhet të ecim përpara me ndryshimet në kodin zgjedhor. Komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore përfundon mandatin e vet më 30 nëntor. Koha kur ju mund të mbani peng reformën zgjedhore ka përfunduar më 11 maj 2025. Ne ju ftojmë t’i bëjmë siç kemi një traditë të konsoliduar, por mos harroni që disa çështje aty që janë rekomandimet bazë të OSBE/ODIHR janë edhe detyrë shpie që duhen kryer nga Shqipëria brenda këtij viti. Ligji për financimin e partive politike unë uroj shumë që ta miratojmë së bashku. Kemi një dakordësi në nivel teknik; duhet ta ta çojmë dakordësinë në nivel politik. Dhe duhet ta përmbyllim brenda këtij sesioni parlamentar.

Ua kam thënë dhe po ua përsëris: në emër të këtij grupi parlamentar që kam nderin ta drejtoj, depolitizimi i komisioneve zgjedhore është një detyrim që ia ka Shqipëria shqiptarëve në radhë të parë, pastaj edhe ndërkombëtarëve që na e kanë vënë si detyrë. Koha kur partitë politike vetë votojnë e vetë numërojnë duhet të marri fund njëherë e përgjithmonë. Edhe për t’iu përgjigjur edhe atyre që janë në shesh, heqe ju, mburreni dhe rrihni gjoksin këtu para nesh, se i përfaqësoni. Në rast se realisht doni t’i përfaqësoni, dhe ata duan të garojnë në zgjedhje, të ecin përpara me depolitizimin e komisioneve zgjedhore. E kemi një formulë të dakordësuar prej 7 vitesh: në nivel të përfaqësuesve tanë, 2 ekspertë ndër më të mirët që kemi njëri bashkëkryetar nga ana jonë dhe tjetri bashkëkryetar nga ana juaj, dhe të ecim përpara.

Në 30 nëntor mbaron në 30 nëntor mbaron mandati i komisionit të posaçëm. Kemi 13 vjet herë pas here shtyrë nga 6 muaj, shtyrë nga 6 muaj, ndërkohë që mos harrojmë që në 9 maj janë zgjedhjet. Dhe unë nuk e kuptoj ende pse ju kundërshtoni teknologjinë në zgjedhje. Pse kundërshtoni votimin apo numërimin elektronik? E kemi pilotuar në mënyrë të suksesshme në 4 bashki në 2023-in. Edhe në 2025 zgjedhje të përgjithshme. Dhe do të kishte qenë rasti më i mirë që në 2027 të kishim votim elektronik, por të paktën të paktën atë turpin pafund të ditëve që numërohen duhet t’i japim fund.

Dhe unë e kam thënë propozimin: edhe kryetari i Partisë Socialiste, kryeministri Rama, ua ka bërë me dije ne do të pranonim edhe numërimin në qendrat e votimit. Në mënyrë që edhe shqiptarët kryetarin e ri të bashkisë që merr mandatin për 4 vite ta marrin vesh dielën në darkë. U zhvilluan zgjedhjet në Bosnjë, doli rezultati.

U zhvilluan zgjedhjet në Serbi në Hungari dhe rezultati brenda natës. Jo po të rrimë me ditë të tëra ndërkohë që gjithë teknologjinë e kemi të mundshme. Për ta mundësuar. Prandaj, nëse doni kalendar, bujrum, të ulemi, t’i shohim një për një të gjitha këto çështje. Edhe edhe pse sot është 26 nëntor, edhe nesër komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore mund të punojë në mënyrë që të kapim afatet, sikurse ftesa për komisionin tjetër të posaçëm, atë të reformës administrative territoriale për fazën e dytë, vazhdon është aty. Ju e keni provuar: kur mungoni, më shumë humbni; kur merrni pjesë, të paktën nuk humbni ato që keni. Kështu që ftesa jonë në kuadër të këtij kalendari është sa më sipër.

E fundit, ndërkohë që sa i përket ligjit për tubimet, qëndrimin tonë do ta dëgjoni sapo të fillojnë diskutimet për këtë çështje, por mos harroni, sot është një ditë e madhe për Shqipërinë, është një ditë e rëndësishme. Votohet buxheti më i madh në historinë e vendit dhe gjithë veshët e shqiptarëve janë aty për të dëgjuar pikërisht miratimin përfundimtar të këtij buxheti për t’i hapur rrugë hyrjes së fuqisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!