Dy punonjës të organizatës humanitare “Mjekët pa Kufij” (MSF) janë vrarë në një sulm ajror izraelit në qytetin e Gazës. Lajmi u konfirmua nga ushtria izraelite (IDF), e cila pretendon se dy personat ishin të përfshirë në aktivitete terroriste.
Në një deklaratë të publikuar në Telegram, IDF bëri të ditur se kishte goditur dhe vrarë dy persona në qytetin e Gazës, të cilët punonin gjithashtu për organizatën ndërkombëtare MSF.
Sipas ushtrisë izraelite, viktimat janë Ahmed Sufian Muhammad Ali Abu Hashira dhe Muath Yousef Ali Subh. Ky i fundit pretendohet nga pala izraelite se ishte komandant artilerie i Hamasit.
Nga ana tjetër, organizata “Mjekët pa Kufij” ka reaguar me zemërim, duke sqaruar se dy viktimat punonin si roje në një prej klinikave të saj në Gaza.
“Jemi të tronditur dhe të indinjuar nga vrasja e dy kolegëve tanë, të dy roje klinikash, për shkak të një sulmi izraelit në njërën nga klinikat tona në Gaza”, deklaroi organizata në një postim në platformën X.
MSF bëri të ditur gjithashtu se, me vdekjen e dy punonjësve, numri i personelit të saj të vrarë në Rripin e Gazës ka arritur në 17.


