Analisti politik Roland Lami, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka komentuar zhvillimet në kampin opozitar dhe diskutimet për kandidaturën në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Sipas Lamit, përqendrimi i elitave politike, ndërkombëtarëve dhe burimeve financiare në kryeqytet e bën elektoratin e Tiranës më të vëmendshëm dhe më kërkues ndaj alternativave politike.
Ai vuri në dukje se opozita po përballet me përçarje mes Partisë Demokratike dhe partive të vogla, të cilat synojnë të dalin me një kandidat të tyre. Sipas analistit, kjo situatë e vështirëson krijimin e një fronti të përbashkët opozitar, ndërsa Partinë Socialiste e cilësoi si subjektin më të konsoliduar politik në këtë moment.
“Të gjithë e dimë që Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, ku të gjitha elitat, ndërkombëtarët dhe paraja janë të përqendruara këtu. Prandaj është një elektorat shqiptar që ka filtër dhe ka kritere. Humori elektoral sot që po flasim është kështu: një kandidaturë nga PS preferohet më shumë sesa një kandidaturë nga PD.
Po të shikojmë se si është pozicionuar opozita sot, shohim që ka një garë mes partive të vogla dhe PD-së për kandidaturën. Partitë e vogla që janë jashtë duan që të kenë një kandidaturë të tyre, sepse ç’kuptim do të kishte revolucioni i tyre i flamingove, kjo ka sjellë një situatë krize. E bën gjithë frontin opozitar të fragmentarizuar.
I vetmi subjekt politik sot është solid, përpos çarjeve të vogla, mes kryetarit dhe personazhit në fjalë, është PS. A jemi sot në një front opozitar? Mënyra se si janë pozicionuar sot palët e bën të vështirë frontin. Nëse partitë e vogla, flamingot dhe PD-ja bien dakord, do të thotë që jemi në një front opozitar dhe jemi në kushtet e vitit 2011”, tha Lami.



