11 gola të shënuar një ditë më parë, ndeshje mjaft të luftuara dhe në fund festuan Kastrioti, Tirana e Partizani. Në program për javën e 19-të të Abissnet Superiore janë edhe dy ndeshje të tjera sot, ndërkohë që luhet edhe një ndeshje në Kategorinë e Parë.
Për të mbetur tek elita e futbollit shqiptar, në orën 13:45 zhvillohen dy sfidat e mbetura dhe sigurisht ajo që tërheq më shumë vëmendjen është dueli mes Laçit e Vllazninë, që në fazën e parë ka prodhuar 8 gola.
Sigurisht sot pritet një ndeshje e ekuilibruar dhe asnjëra prej skuadrave nuk e do humbjen. Kurbinasit nëse duan të luftojnë për titullin kampion, atëherë duhet t’i përgjigjen Tiranës që e çoi në 9 pikë diferencën me ta një ditë më parë. Vllaznia gjithashtu ka synime të mëdha.
Takimi tjetër luhet në Rrogozhinë. Vendasit e Egnatias janë në kërkim të fitores së parë në kampionat për këtë vit dhe përballë do të kenë Kukësin e tronditur nga humbja e pësuar me Tiranën, me katër gola të pësuar.
Në Kategorinë e Parë, ku Bylisi kryesues u ndal një ditë më parë, zhvillohet dueli Korabi-Besa. Vendasit duan tre pikët, për të ruajtur distancën prej 4 pikësh me Erzenin e vendit të dytë, si dhe të paktën të ruajnë pozitat në vendin e tretë që të çon në “play-off”. / abcnews.al