Analisti Frok Çupi ka komentuar në “News Line” në ABC News përjashtimin e Elisa Spiropalit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste.
Gjatë diskutimit, Çupi u shpreh se përjashtimet nga grupet parlamentare në Shqipëri kanë ndodhur që prej viteve ’90, duke pretenduar se mbi 50 deputetë janë përjashtuar ndër vite dhe se vendimet nuk kanë qenë të lidhura me çështje ligjore apo korrupsion, por me përplasjet për pushtetin.
Duke komentuar konkretisht rastin e Spiropalit, analisti deklaroi se veprimet e saj kanë qenë të një natyre më të gjerë dhe se, sipas tij, kanë goditur rendin kushtetues. Ai vlerësoi gjithashtu se vendimi i grupit parlamentar tregon se Partia Socialiste nuk është e gatshme të ndalojë veprimet e saj për shkak të interesave të pushtetit, por po i jep përparësi funksionimit të shtetit dhe zbatimit të ligjit.
Çupi iu referua edhe qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama për SPAK-un, duke theksuar se askush nuk duhet të mbrohet përpara drejtësisë, pavarësisht pozicionit politik.
Më tej u shpreh në mënyrë kritike ndaj Spiropalit, duke deklaruar se ajo ka marrë gjithçka, por nuk ka dhënë asgjë në këmbim.
“Në Shqipëri janë përjashtuar nga grupet parlamentare që nga vitet ’90. Mbi 50 deputetë dhe e dëshmojnë statistika dhe asnjë nuk është përjashtuar për shkaqe ligjore, të korrupsionit…Por sepse dikush ka menduar se po na merret pushteti. Vepra e Spiropalit është një vepër shumë e gjerë, ajo ka goditur me mjete të tjera, ka goditur rendin kushtetues. Vendimi i grupit Parlamentar bazohet mbi këto, por aoo që të bën përshtypje është një gjë që në teorinë e shtet-formimit është pozitive dhe ky është fakti që PS para një krimi të tillë që tashmë është në duar të ligjit, nuk është ndalur dhe të mendojë se po dobësohet pushteti. Pra PS, mazhoranca kuptohet se do të ishte gati të dorëzonte pushtet, në raport me garantimin e shtetit dhe të ligjit dhe kjo është një gjë tjetër që e ka thënë Rama se ne përpara SPAK nuk mbrojmë askënd dhe ne përpara shtetit nuk mbrojmë asnjë deputet. Zonja Spiropali ka marrë gjithçka dhe ka dhënë zero. Ne na morën politikanë shumë të rëndësishëm, një vajzë te re që i shërbeu terrorizmit. Zonja Spiropali vinte nga asgjëja dhe ky është mësim që duhet të nxjerrë mazhoranca. Duhet të gjykojnë mbi kreditet dhe vlerat e njerëzve dhe jo mbi asgjë”, tha ai.
/abcnews.al/



