Britania njoftoi të martën sanksione kundër grupit Huthi të Jemenit dhe katër zyrtarëve të tij pas asaj që e quajti “agresion i ripërtërirë” brenda Jemenit dhe kundër Arabisë Saudite.
Zyra e Jashtme tha në një deklaratë se paketa e sanksioneve synon rebelët Huthi për “përpjekje të qëllimshme” për të minuar stabilitetin në Lindjen e Mesme, si dhe individë të përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut.
“Sjellja e pamatur e Huthive në ngushticën Bab el Mandeb ka vazhduar të prishë zinxhirët e furnizimit global dhe ka vënë presion të shtuar mbi koston e jetesës për familjet britanike”, thuhet në deklaratë.
Sekretari i Jashtëm, Ed Miliband, tha se “Agresioni i ripërtërirë i Huthive që synon partnerët tanë dhe civilët e pafajshëm është i papranueshëm dhe ata duhet të mbajnë përgjegjësi”.
Masat e reja përfshijnë ngrirjen e aseteve të grupit, si dhe ngrirjen e aseteve, ndalimin e udhëtimit dhe ndalimin e ushtrimit të detyrës si drejtor kompanie për Abdulkarim Amir al-Din Hussein al-Huthi, i cili ka shërbyer si ministër i Brendshëm i Huthive, dhe Abdul Hakim Hashem Ali al-Khaiwani, kreu i Shërbimit të Sigurisë dhe Inteligjencës të Huthive.
Mohammed Moufleh, një gjykatës i emëruar nga Huthit, dhe Sarim al-Din Muffadal, një prokuror i lartë Huthi, u sanksionuan gjithashtu në kuadëf të kësaj pakete.



