Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Denada Seferi në “News Line” në ABC News, foli për rëndësinë e buxhetit 2027, mbështetjen për të rinjtë, çiftet e reja, pensionistet, si edhe programet për strehimin.
Seferi theksoi se programi i mbrojtjes sociale do të shtrihet në të gjitha fazat e jetës, nga lindja deri në moshën e tretë. Një nga risitë e përmendura prej saj është parashikimi i përfitimeve mujore për familjet me fëmijë deri në moshën 5-vjeçare.
Sipas zëvendësministres, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe fëmijëve me aftësi të kufizuara, përmes mbështetjes për rehabilitimin dhe shërbimet e nevojshme, si dhe për kujdestarët e tyre.
Ajo bëri të ditur se parashikohet dyfishimi i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara deri në moshën 18 vjeç.
“Ajo që bie në sy është pjesa e gjithë programit të mbrojtjes sociale. Ky buxhet, i qaset ciklit të jetës, nis nga bebet deri te të moshuarit. Por mbi të gjitha do të ketë edhe risitë e tij. Do të ketë përfitime mujore do ti kalojë familjes, deri në moshën 5 vjeç kjo është politika. Dhe kjo është për të ndihmuar më shumë familjen. Ne përpiqemi të jemi aty në çdo moment të jetës së fëmijës, por edhe familjes për ti mbështetur. Mbështetja për fëmijët me aftësi ndryshe, është mbështetje qoftë për rehabilitimin, apo çështje që do të duhet të mbulohen nga ky buxhet. Është me rëndësi edhe mbështetja për kujdestarët e tyre. Ka një dyfishim të pagesave për fëmijët me aftësi ndryshe deri në moshën 18 vjeç”, tha ajo.
Gjithashtu ajo theksoi se do të ketë profesionistë në çdo sektor, si dhe në fokus janë edhe plane veprimi për fëmijët dhe të rinjtë.
“Kemi hartuar në mbledhjen e dytë të Këshillit Kombëtar, janë 13 nisma prioritare për fëmijët dhe të rinjtë, flitet për sigurinë online për një buxhet të posaçëm, do të kemi një pasaportë të vullnetarizmit të tyre…”, tha ajo.
/abcnews.al/



