VIDEO/ Tirana nuk pyet as për Kastriotin, Teuta ndalet nga shtylla në Ballsh

schedule14:55 - 7 Mars, 2021

schedule 14:55 - 7 Mars, 2021

Dominimi i Teutës kundër Bylisit nuk është shpërblyer, pasi ndeshja në Ballsh është mbyllur në barazim 1-1, kurse Tirana theu Kastriotin 1-2 dhe vijon serinë e rezultateve pozitive. Pas gjysmë ore lojë Teuta fitoi një penallti, ndërkohë që vendasit protestuan. Mbajtja me duar që bëri Nebihu u pa nga arbitri i ndeshjes dhe u dënua. Dejvi Bregu nga pika e bardhë e penalltitë nuk gaboi dhe e çoi topin në rrjetë.

Bylisi nuk mund ta pranonte disavantashin dhe u hodh në sulm për të shënuar. Nuk u desh shumë kohë dhe ballshiotët ia dolën të realizonin me anë të nigerianit Anthony. Pas një topi të marrë nga Arbër Mehmetllari, sulmuesi u tregua i saktë dhe e mposhti portierin Frashëri.

1-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë dhe e gjithë ndeshja.  Në fraksionin e dytë të lojës Bregu u mundua të rrezikonte portën e Bylisit në disa momente, sikurse edhe Sebino Plaku që iu afrua golit.

Hadroj në një çast e largoi topin në vijën fatale, duke shpëtuar skuadrën e tij pas daljes jo të mirë të portieri Qirko. Ne minutat shtesë Teuta goditi edhe shtyllën me anë të Silvio Zogajt. Pa fat durrsakët, që u munduan shumë të merrnin tre pikët dhe kreun e renditjes për momentin.

NDESHJA TJETËR – Tirana ka marrë fitoren e tretë radhazi. Skuadra e Orges Shehit ia doli të mposhte Kastriotin me rezultatin 2-1 në transfertë dhe kështu lëshon një sinjal që do të luftojë deri në fund për një vend në kupat e Europës. Sigurisht fjala titull nuk mund të përmendet, edhe pse fanella bardheblu i detyron ta synojnë gjithmonë trofeun më të rëndësishëm.

Kundër Kastriotit ndeshja u zhbllokua shpejt, pas një prekjeje të topit me dorë nga Neziri. Penalltia e fituar u kthye në gol nga Taulant Seferi, i cili edhe pas dy minutash kishte mundësinë të shënonte sërish. Devid i krutanëve humbi një rast flagrant në pjesën e parë, që u mbyll me rezultatin 0-1.

E dyta nisi me një tjetër gol të Tiranës dhe ishte Erion Hoxhallari ai i cili me një goditje dënimi realizoi një gol mjaft të bukur dhe i dha epërsinë e dyfishtë kampionëve në fuqi. Kastrioti reagoi, duke shënuar me të zakonshmin Devid. 1-2 dhe në minutat në vazhdim Tirana ruajti epërsinë dhe mori tre pikët, duke shkuar me moralin lart në derbin e kryeqytetit kundër Partizanit. /abcnews.al

BYLISI-TEUTA 1-1
Shënues:
Anthony 38′ / Bregu (pen.) 29′ 
BYLISI: Qirko, Hadroj, Janku, Stojanovic, Lorran, Ymeralilaj, Nebihu, Anthony, Ndreca, Mehmetllari. Trajner: Veljko Dovedan
TEUTA: Frashëri, Todorovski, Hoxha, Arapi, Kouros, Aleksi, E. Vila, Plaku, L. Vila, Bregu, Krasniqi. Trajner: Edi Martini

KASTRIOTI-TIRANA 1-2
Shënues:
Devid 67′ / Seferi (pen.) 19′, Hoxhallari 59′
KASTRIOTI: Hidi, Neziri, Zhivanaj, Çela, Rami, Shkalla, Nuriu, Mehmeti, Bardhi, Rezi, Devid. Trajner: Ramazan Ndreu.
TIRANA: Bekaj, Toshevski, Behiratche, Hoxhallari, Toli, Halili, Çelhaka, Gyamfi, Ismajlgeci, Seferi, Vayrynen. Trajner: Orges Shehi

 

Renditja

67′ Devid ngushton shifrat në takimin Kastrioti-Tirana. Sulmuesi brazilian, me një  goditje me kokë, mposhti portierin Visar Bekaj

59′ Gol spektakolar i mbrojtësit Erion Hoxhallari. Lojtari i Tiranës realizoi pas ekzekutimit të një goditjeje dënimi

38′ Anthony Bej i Bylisi ka ndëshkuar portierin Stivi Frashëri, duke vendosur baraspeshën në duelin kundër Teutës

29 ‘  Dejvi Bregu ka ndëshkuar skuadrën e Bylisit, pas një penalltie të kontestuar gjatë nga ana e skuadrës vendase

PENALLTIA E FITUAR NGA TEUTA

19′ Taulant Seferi realizon nga pika e bardhë e 11-metërshit, duke kaluar Tiranën në epërsi. Neziri i krutanëve preku topin me dorë