Si u zbulua tentativa e grabitjes në Tiranë, policia ndoqi një person, hapën pusetë 300 metra larg bankës

schedule15:35 - 22 Shkurt, 2022

schedule 15:35 - 22 Shkurt, 2022

Nga Xhensila Kodra

Një grabitje bankash si ato në filma ishte planifikuar të kryhej në qendër të Tiranës. Autorët janë ende të paidentifikuar. Por, forcat e rendit mundën ta parandalonin këtë ngjarje. Informacionin e kishin siguruar në rrugë operative.

Autorët kanë gërmuar tunelet e nëndheshme për më shumë se një muaj, aty ku po kryhen punime për rehabilitimin e Bulevardit “Zogi i Parë”. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se kjo ishte faza fillestare e përgatitjes për të vënë në zbatim planin e grabitjes.

Kalimi deri në bankën do të bëhej përmes kanaleve të ujërave të zeza. Distanca nga puseta e hapur e deri tek filiali i bankës është rreth 300 metra.

Dy ditët e fundit policia ka kryer një sërë kontrollesh përgjatë kësaj zone. Pasditen e djeshme efektivët vunë re njërin prej autorëve të dyshuar teksa dilte nga puseta që ndodhet në bulevard pranë Ministrisë së Drejtësisë. Ai ishte i kamufluar me veshjen e punonjësve të mirëmbajtjes. Teksa policia iu vu në ndjekje, ai hodhi në pusetë një armë pistoletë, që më pas u dërgua në laborator për të përfituar shenjat e gishtave.

Hetuesit kanë dyshime se grupi i grabitësve kishin dijeni të plotë mbi planimetrinë se ku të nxirrte ky tunel. Objekt hetimi tashmë janë edhe disa punonjës të mirëmbajtjes së tuneleve nëntokësore apo elektricistë. Ata kanë pasur planimetrinë e zonës dhe dyshohet se kanë bashkëpunuar me grabitësit duke ua vënë atë në dispozicion.

Policia është duke kryer veprime që do t’i çojnë deri në identifikimin e autorëve. Ndërsa referimi në Prokurori është kryer për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim. /abcnews.al