Rama: Kush refuzon punën, del nga skema e ndihmës ekonomike

schedule16:05 - 19 Mars, 2018

schedule 16:05 - 19 Mars, 2018

Kushdo që ka një ofertë për punë dhe refuzohet, herën e dytë del nga skema e ndihmës ekonomike. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama gjatë një vizite në një fabrikë këpucësh ku janë punësuar rreth një mijë punëtorë që janë ofruar nga zyrat e punës.

Duket se po fusnkison bashkëpunimi i biznesit me Shërbimin kombëtar të punësimit.

Kjo fabrikë këpucësh në një vit ka punësuar rreth 1 mijë punëtorë, një pjesë e mirë e të cilëve persona që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Deri në fund të qershorit do na duhet të shtojmë edhe 250 punëtorë më shumë duke qenë se ne kemi dhe një fabrikë tjetër në Valias dhe totalisht kemi 1 mijë punëtorë,” shprehet përfaqësuesja e kompanisë’.

Ky është një shembull për Kryeministrin Rama se ndihma ekonomike nuk duhet parë më si një status i përhershëm, por duhet shfrytëzuar çdo mundësi për të dalë nga varfëria përmes punës.

“Ligji është shumë i qartë: në qoftë se ti ke një ofertë për punë edhe ti e refuzon, herën e dytë del nga skema e ndihmës ekonomike! Kjo është e qartë, sepse është e pamundur që të vazhdojë të jepet ndihmë ekonomike për dikë që është fizikisht i aftë për punë dhe që e refuzon punën, ndërkohë që ndihma ekonomike është për më të varfrit dhe për sa kohë janë në pamundësi për tu integruar, nuk është një status i përjetshëm varfërie e mjerimi që e paralizon komplet familjen dhe i heq çdo perspektivë prindërve dhe kryetarëve të familjes,” u shpreh Kryeministri Rama.

“Të gjitha listat e ofruara nga zyra e punës, normalisht, merren të gjithë, intervistohen dhe kur vijnë këtu për të filluar punë, nuk pranojnë të hyjnë punë. “Nuk punojmë dot”, “Jam e sëmurë, nuk mundem”, “Dua të marr atë ndihmën ekonomike”- u shpreh përfaqësuesja e kompanisë.

Qeveria ka ofruar si zgjidhje edhe trajnimin kundrejt pagesës të të gjithë personave që pranojnë të punësohen me ndërmjetësimin e zyrave të punës.

“Ne kemi dhe këtë skemën tani që, ne japim pagesë për trajnimet. Pra, kushdo që është i gatshëm që të trajnohet, atëherë ne japim 55 mijë lekë të vjetra në muaj mbështetje për trajnimin dhe nuk bëhet nëpërmjet kompanisë. Është një masë e re që e kemi vënë, që është faktikisht sa mesatarja e ndihmës ekonomike,” u shpreh Kryeministri.

Kjo histori,nuk mund të vazhdojë pafund sipas kreut të qeverisë. Duhet ndarë kush është i aftë fizikisht për punë dhe kujt i ofrohet puna duhet të pranojë atë.

“Përndryshe, si do ta paguajnë të tjerët me kontribute nga taksat, që të rrijë në shtëpi, i mpirë atje edhe që pak nga pak të bëhet psikologjikisht i paaftë për të marrë përsipër punën”. /abcnews.al