Ironia e Ramës: Jam më shumë se pro-serb, jam vëllai i Vuçiçit, por po të më shikoni me Albinin do thoni…

schedule14:25 - 20 Qershor, 2022

schedule 14:25 - 20 Qershor, 2022

Kryeministri Rama nuk i ka kursyer ironitë lidhur me deklaratat se ai ka qëndrim pro-serb dhe është vëllai i Presidentit Aleksandër Vuçiç. Nga konferenca e përbashkët me kryeministrin Kurti, e cila u mbajt në Prishtinë pas mbledhjes  së tetë të dy qeverive, Rama i tha gazetarëve se nëse do ta shikonin bashkë me kryeministrin Kurti do ndërronin mendim.

Rama: Për të ardhur te proserbizmi im, unë jam më shumë se kaq. Unë jam vëllai i Vuçiçit, ju e dini këtë dhe e keni bërë status timin që unë jam vëllai i tij, por përtej kësaj dua të them që këndvështrimi im është se ne nuk na duhet një Serbi e radikalizuar, aq më tepër në kontekstin sot. Ne na duhet të bëjmë çmos që të rrisim të gjitha mundësitë që e integrojnë këtë pjesë të Evropës, në një nivel tjetër ndërveprimi ekonomik dhe shoqëror. Unë nuk hyj në çështjen e administrimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kjo është çështje ekskluzive e dy vendeve. Ashtu sikundër unë nuk besoj në asnjë sekondë që qasja jonë e ndryshme ndaj Serbisë dëmton qasjen apo qëllimin përfundimtar. Janë dy rrugë të ndryshme drejt të njëjtit qëllim, që është zgjidhja përfundimtare dhe njohja e Kosovës nga Serbia dhe paqja e drejtë që i takon shqiptarëve të Kosovës.

Dhe thënë të gjitha këto, dua ta përsëris që me Albinin ne kemi një marrëdhënie që është e kahershme, që është shumë miqësore dhe që do të jetë e tillë gjithmonë. Ne jemi njerëz me bindje të forta dhe të gjedh tani njerëz me bindje të forta që janë në një mendje do të thotë që ose i janë dobësuar bindjet, ose s’i kanë pasur ndonjëherë të forta. Në këtë pikë jemi të qetë dhe këtë e tregon fakti që po të jeni kur ne jemi bashkë dhe të shikoni volumin e qeshjeve do habiteni dhe do thoni s’qenka vëllai i Vuçiçit, qenka vëllai i Albinit,. Më lini të jem vëllai i të dyve se mund t’ju duhem./Abcnews.al/