Policia e New York: “Saipov e ka planifikuar sulmin terrorist prej javësh”

schedule18:53 - 1 Nëntor, 2017

schedule 18:53 - 1 Nëntor, 2017

Policia e Nju Jorkut ka bërë me dije se terroristi Saipov e ka planifikuar sulmin, në të cilin u vranë 8 persona, prej disa javësh. Gjithashtu mësohet se ai ka ndjekur udhëzimet e ISIS. Vetëm 29-vjeçari ka dëshmuar për policisë se ka dashur të vazhdojë të vrasë qytetarë të pafajshëm.

“Sayfullo Saipov ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara në mars të 2010 nga Uzbekistani dhe qëndron në mënyrë të ligjshme. Ka planifikuar sulmin prej disa javëve”. Këtë e konfirmoi Xhon Miller, zëvendës komisar i policisë së Nju Jorkut. Ai nënvizon se autori i sulmit terrorist gjendet në spital, ku qëndron në gjendje arresti. “Saipov ka ndjekur udhëzimet e ISIS, të cilat gjenden online, për mënyrën se si të kryente një sulm”, shton Miller.

Autori i atentatit në Nju Jork nuk ka qenë kurrë nën hetim nga FBI, tregon policia duke saktësuar se “në mjetin me të cilin është kryer sulmi pasditën e së martës janë gjetur disa thika”. Pranë furgonit të bardhë të përdorur nga vrasësi i Nju Jork u gjetën disa shënime me shkrim dore në gjuhën arabe që tregonin për besnikërinë e tij ndaj ISIS. “Shteti Islamik do të zgjasë përgjithmonë”, lexohet në një nga letrat e gjetura.
Mësohet se policia e ka marrë në pyetje 29-vjeçarin në spital. Autori i sulmi tha se do të kishte vazhduar të vriste qytetarë në pistën e biçikletave nëse furgoni i tij nuk do të përplasej me autobusin e shkollës.

Në atentatin terrorist më të rëndë në Nju Jork, që prej 11 shtatorit, kanë humbur jetën 8 persona, mes të cilëve një shtetas belg dhe pesë argjentinas. Gjithashtu janë plagosur dhe 13 persona, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Të martën në orën 15, me orën lokale amerikane, furgoni i bardhë i drejtuar nga Saipov u pëplas në një pistë për çiklistë në Nju Jork duke vënë poshtë disa këmbësorë. Pasi ndaloi ai nisi të qëllonte me një pistoletë me gozhda dhe me ajër të kompresuar. Ai është rezident në Tampa të Floridas por jeton me bashkëshorten dhe tre fëmijët në Paterson-Nju Xhersi, ku dhe kishte marrë me qira furgonin që përdori si armë. 29-vjeçari ka jetuar dhe në Ohajo. Sipas FBI ai punonte si shofer për kompaninë Uber.