Epërsia ishte e vendasve, por u duk shterpë. Arsenali e bëri detyrën sa i takon lojës në stadiumin e vet “Emirejts” të Londrës në duelin e Championsit, në prani të rreth 61 000 spektatorëve, veçse fitorja ishte një iluzion.
Borusia e Dortmundit, skuadra që për momentin kryeson Bundesligën, mori barazimin 1-1, duke u shfaqur më pak në terren sesa “topçinjtë”, por duke qenë e saktë, e me karakter të fortë.
Londinezët kaluan të parët në epërsi me anë të sulmuesit suedez, Viktor Gjëkeresh, që në 10’ dhe provuan me të gjitha mënyrat.
I dhanë ritmin lojës, mbajtën 59 për qind topin, dhe bënë 25 gjuajtje ndaj vetëm 9 të gjermanëve.
Gjithsesi, saktësia kishte mbetur për në ndonjë ndeshje tjetër, sepse nga 25 goditje vetëm 4 e gjetën kuadratin e portës, po aq sa bëri edhe Dortmundi.
Edhe pse yje të veçantë si Madueke, Deklan Rajs, kapiteni Odegard apo sulmuesi Gjëkeresh, u paraqitën shumë mirë, kjo nuk mjaftoi.
Trajneri Mikel Arteta bëri 6 ndryshime në formacion në krahasim me ndeshjen e Premier Ligës fundjavën e kaluar, por Arsenali gaboi duke humbur raste, e duke e lënë ndeshjen të hapur.
Pas këtij barazimi, kampionët e Anglisë dhe nënkampionët e Europës kanë 11 pikë në 5 ndeshje në renditjen e Championsit, një më shumë sesa Dortmundi, dhe dy ekipet për momentin janë në zonën që të kualifikon direkt për në raundin e dytë./abcnews.al



