Qëllohet me armë në prani të të birit, 62 vjeçari te Liqeni Artificial

schedule19:10 - 16 Mars, 2019

schedule 19:10 - 16 Mars, 2019

Një atentat me armë zjarri i ka marrë jetën një 62-vjeçari nga Fieri. Haxhi Baçinozi është qëlluar për vdekje nga një person me kapele, në prani të një familjari. Policia po heton të kaluarën e viktimës, ndërsa mësohet se autori është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur pasditen e kësaj të shtune pranë Liqenit Artificial në Tiranë. 62-vjeçari Haxhi Baçinozi nga Fieri, është qëlluar me armë zjarri, duke humbur jetën menjëherë.

Dyshohet se Baçinozi është qëlluar në prani të një familjari të tij. Burime të ABC News bëjnë të ditur se policia e ka identifikuar autorin, i cili mësohet se ka pasur një kapele dhe nuk ka pasur maskë në momentin kur ka qëlluar në drejtim të 62-vjeçarit.

Aktualisht ende nuk ka një pistë të qartë, ku është përqendruar policia, por mësohet se po hetohet e kaluara e autorit. Gjithashtu, uniformat blu kanë shoqëruar familjarët e 62-vjeçarit Haxhi Baçinozi për të mësuar nëse ka pasur apo jo konflikte me persona të tjerë. Viktima, sipas burimeve të ABC News nuk ka bërë ndonjë denoncim më parë. Në vendin e ngjarjes, kanë shkuar ekspertët, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Mësohet se Haxhi Baçinozi ka qenë i dënuar politik, nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës në vitin 1982 dhe 1984.

Gazetar i ABC News: Andi Qosja