Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po shton trysninë ndaj vendeve evropiane për të rritur pagesat për barnat e reja, duke argumentuar se amerikanët po përballojnë një barrë joproporcionale të kostove që lidhen me inovacionin farmaceutik.
Kjo çështje ka ngritur shqetësime në Bashkimin Evropian, ku eurodeputetët po kërkojnë një përgjigje të koordinuar ndaj kërkesave të Uashingtonit. Deri më tani, megjithatë, Komisioni Evropian nuk ka dalë me një qëndrim konkret.
Zëvendëspresidentja ekzekutive e Komisionit Evropian, Henna Virkkunen, deklaroi se ende ka shumë paqartësi për të përcaktuar ndikimin e plotë të presionit të ushtruar nga SHBA-ja. Sipas saj, industria evropiane gëzon mbrojtje përmes marrëveshjes tregtare transatlantike, e cila parashikon një tavan prej 15 për qind për tarifat mbi shumicën e eksporteve të BE-së drejt tregut amerikan, përfshirë edhe barnat me emër të markës.
Ndërkohë, Gjermania është përfshirë tashmë në një hetim amerikan, i nisur në muajin qershor, lidhur me pretendimet se vendi paguan më pak se sa duhet për barnat inovative. Administrata amerikane synon të negociojë me Berlinin një marrëveshje për rritjen e çmimeve, të ngjashme me atë që ka arritur me Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë diskutimeve të zhvilluara në Parlamentin Evropian në Strasburg, eurodeputetët shprehën shqetësimin se marrëveshjet dypalëshe që shtetet anëtare mund të lidhin veçmas me SHBA-në rrezikojnë të dobësojnë fuqinë negociuese të Bashkimit Evropian.



