Një 27-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri në automjet. Operacioni policor u kodua “Befasia”.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3, organizuan operacionin në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje.
Gjatë ndërhyrjes në rrugën “Dine Hoxha”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit 27 vjeçar, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të automjetit tip “Range Rover”, me të cilin lëvizte i riu, në kroskot u gjet një armë zjarri pistoletë, së bashku me municion luftarak. Arma dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.



