Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Meloni përplaset me gjyqtarët/ Kryeministrja italiane refuzon të firmosë dekretin për rrogat e prapambetura

schedule22:57 - 26 Nëntor, 2026

schedule 22:57 - 26 Nëntor, 2026

Përplasje mes Kryeministres italiane dhe gjyqtarëve. Giorgia Meloni refuzon të firmosë dekretin për detyrimet e prapambetura dhe indeksimin e pagave të magjistratëve, pavarësisht vendimit të Këshillit të Shtetit në favor të tyre. Përveç kësaj, ajo ka vendosur të bojkotojë kongresin e Shoqatës Kombëtare të Magjistratëve në Napoli, duke e thelluar përplasjen me sistemin e drejtësisë.

Duke folur për gazetarët në margjinat e Këshillit Evropian, Meloni deklaroi se nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrim, pasi nuk mund t’ua justifikojë qytetarëve italinaë një shpenzim të tillë për pagat e magjistratëve në kushtet aktuale ekonomike.

“Për këtë çështje nuk kam ndërmend të tërhiqem dhe as të ndryshoj qëndrim, sepse nuk do të dija si t’ua justifikoja këtë italianëve, duke pasur parasysh të gjitha problemet që kemi aktualisht.”



Sipas qëndrimit të qeverisë, pagesat mund të arrijnë deri në 100 mijë euro për çdo magjistrat, mes detyrimeve të prapambetura dhe indeksimit të pagave. Kjo për një kategori që, sipas të dhënave të cituara nga Pallati Chigi, përfiton paga mesatare mbi 137 mijë euro bruto në vit. Qeveria argumenton se, në një periudhë kur familjet, punonjësit dhe bizneset kanë nevojë për mbështetje, një shpenzim i tillë është i vështirë për t’u justifikuar.

Vendimi i Melonit për të mos firmosur dekretin dhe për të mos marrë pjesë në kongresin e magjistratëve i ishte komunikuar paraprakisht kreut të Shoqatës së Magjistratëve, Giuseppe Tango. Kryeministrja bëri të ditur se njeh vendimin e Këshillit të Shtetit në favor të magjistratëve dhe të drejtën e tyre për t’iu drejtuar rrugës gjyqësore, por kjo nuk ndryshon qëndrimin e saj.

Për bojkotimin e kongresit në Napoli, Meloni tha se nuk dëshiron të krijojë një tjetër polemikë me përfaqësuesit e magjistraturës.

“Më kishin ftuar për një përballje dhe në përgjigje mora një sulm. Është e vështirë të zhvillosh dialog kur çdo gjë që thua dhe me të cilën pala tjetër nuk është dakord, kthehet në një sulm. Nëse do të shkoja në kongres, do ta ngrija edhe këtë çështje dhe kjo do të shndërrohej sërish në një përplasje. Nuk dua të krijoj këtë polemikë.”

Ndërkohë, Këshilli i Shtetit i ka kërkuar qeverisë të procedojë me dekretin përkatës deri më 31 janar 2027. Nëse vendimi nuk zbatohet, parashikohet mundësia e emërimit të një komisioneri për të garantuar zbatimin e tij.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!