TIRANË– Rritet dëmi i shkaktuar ndaj bizneseve të vogla si pasojë e protestave të dhunshme të mbajtura në kryeqytet gjatë muajit tetor.
Të dhënat e drejtorisë së Tatimeve tregojnë se deri më tani vlera e dëmit të raportuar ka arritur në 4.38 milionë euro ndërsa gjithnjë e më shumë biznese po raportojnë dëmet e pësuara përmes shërbimit të dedikuar “Dëmi im”.
Administrata Tatimore deklaron se është e angazhuar në procesin e evidentimit të tyre në terren në mënyrë që më pas të përfitojnë edhe kompensimin për dëmin e pësuar.
Kjo është shifra e dëmeve të publikuara deri më tani, ndërsa numri i subjekteve të prekura mund të ndryshojë në varësi të verifikimeve dhe raportimeve të mëtejshme.
Dëmet më të mëdha janë regjistruar te bizneset në qendër të kryeqytetit.
Pasojat ekonomike të protestës rikthejnë në vëmendje ndikimin që aktet e dhunshme kanë mbi bizneset, aktivitetin tregtar dhe pronën private.
Bilanci pritet të rritet edhe më tej pasi përveç dëmtimeve fizike të ambienteve një sërë biznesesh kanë ndërprerë apo kufizuar aktivitetin për ditë të tëra./abcnews.al



