Gjanica “nxin” qytetin nga mbetjet e naftës, banorët: Rafineria e Fierit fajtore

schedule14:52 - 16 Nëntor, 2020

schedule 14:52 - 16 Nëntor, 2020

Uji në lumin Gjanicë këtë mëngjes kishte ngjyrën e naftës. Mbetje masive hidrokarburesh janë hedhur nga rafineria e Fierit gjatë natës.

Era e rëndë e squfurit është shpërndarë në qytet dhe rrethina. Qytetarët akuzojnë rafinerinë e Fierit për ndotjen e lumit Gjanicë.

 “Këtë e ka rafineria dhe ajo mund t’i gjejë vendin”, u shpreh një qytetar.

 

Sipas tyre i gjithë investimi për rehabilitimin e shtratit të lumit është i dështuar.

“I gjithë ky investim që ka bërë Bashkia me këtë ndotje që është bërë edhe investimi është i zhvlerësuar”, tregon një tjetër qytetar.

Përsëritja e këtij fenomeni prej vitesh tregon paaftësinë e pushtetit vendor për të mbajtur pastër këtë mjedis apo për të vënë përpara përgjegjësisë ndotësit.

Inspektorati Mjedisor prej muajsh thotë se po punon për gjetjen e shkaktarëve të ndotjes por pa rezultat.

Ndërkohë uji i lumit Gjanica po kthehet në një mjedis toksik që kërcënon shëndetin e banorëve në Fier ndërsa lëndët hidrokarbure përfundojnë në detin Adriatik.

Rafineria e Fierit prodhon bitum dhe ka më pak se 100 punonjës./abcnews.al/