Dy ministri denoncojnë lirimin e një të arrestuari në Vlorë

schedule15:37 - 8 Gusht, 2018

schedule 15:37 - 8 Gusht, 2018

Ministria e Drejtësisë i kërkon Këshillit të Lartë të Drejtësisë shkarkimin e gjyqtares së gjykatës së Vlorës, Herila Çela pas vendimit të saj për të liruar një të arrestuar 2 herë për vepra të rënda penale. Të tillë gjyqtarë, sipas Ministrisë së Drejtësisë, nuk do të shpëtojnë edhe pas largimit nga sistemi i drejtësisë. Të njëjtin vendim të gjyqtares së Vlorës, edhe Ministria e Brendshme e cilësoi një skandal absurd.

Sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i kalbëzuar gjë që vërteton se reforma nëpërmjet procesit të vettingut është mëse i drejtë. Ky nuk është thjesht një përfundim në të cilin ka arritur edhe Ministria e Drejtësisë, por i faktuar së fundi edhe nëpërmjet një rasti konkret që e bëri publik zëvendësministri Toni Gogu.

“Gjyqtarja Herila Çela, duke mbyllur sytë para fakteve e provave kuptimplota, ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi, për një shtetas, i cili është kapur nga policia e Vlorës duke udhëtuar i armatosur, edhe pse ishte nën masën e sigurisë arrest në shtëpi.

Ky shkelës i ligjit, 2 herë i arrestuar nga policia në harkun kohor të pak muajve, lihet përsëri në shtëpi nga Gjykata, falë gjyqtares Herila Çela, e cila nuk e ka për herë të parë shfaqjen në një pozicion tejet shqetësues në raport me ligjin – gjë për të cilën ajo ka qenë edhe më parë subjekt i inspektimit të Këshillit të Lartë Drejtësisë”.

Ndaj këtij rasti ka reaguar edhe Ministria e Brendshme.

“Ky vendim, në kufijtë e absurdit, ka vënë në pikëpyetje gjithë luftën dhe sakrificën e bërë deri më tani. Duke pasur besimin se vendimet e gjykatave nuk janë pronë apo interes vetëm i gjyqtarit që jep vendimin, gjejmë rastin të denoncojmë me forcë dhe publikisht historikun e një të personi të arrestuar 2 herë brenda pak muajve për vepra të rënda penale dhe i lënë më pas në masën “Arrest shtëpie”, megjithëse herën e dytë kishte thyer këtë masë dhe u kap me armë në makinë”.

Të gjitha këto kanë detyruar  Ministrinë e Drejtësisë t’i kërkojë  Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtëisë me shumë urgjencë të hetojë për veprimet e gjyqtares lidhur me rastin. Jo vetëm kaq por do ta ndjekë deri në fund çështjen dhe do të propozojmë pranë KLD marrjen e masave në përpjestim me shkeljen, deri edhe shkarkimin e gjyqtares. Askush nuk do t’i shpëtojë reformës në drejtësi sipas zërit në emër të qeverisë. Jo vetëm gjatë, por edhe pas procesit të vettingut.

“Mbase gjyqtarë që kanë dhënë e vijojnë  të japin vendime të tilla si ky i fundit, mendojnë se do t’ia hedhin thjesht duke ikur nga sistemi, por jo!”

Ky rast nuk është i vetëm. Në të njëjtën ditë dy ministritë, ajo e drejtësisë dhe Ministria e Brendshme janë bërë bashkë për të të treguar se këto nuk janë çaste të izoluara.

“Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bërë publik vendime gjykatash në kundërshtim të hapur me ligjin. Ndaj, gjejmë rastin të denoncojmë gjithashtu vendimet, në më shumë se 18 raste, të Gjykatave të Rretheve Vlorë, Elbasan, Lezhë, Tiranë, Korçë e Shkodër,  ku ndaj të arrestuarve me armë pa leje, për tentativë grabitje më armë, apo duke thyer masën e sigurisë dhe duke qarkulluar me armë në qytet, janë dhënë vendime aspak në zbatim të ligjit apo në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë në vend: vendime arrest shtëpie, detyrim paraqitje, apo  lirim të menjëhershëm nga salla e gjyqit”.

Është koha e vettingut për të gjithë këta gjyqtarë, por paralajmërimi i radhës i drejtohet atyre që mendojnë se me vettingun mbaron ndëshkimi.

“Pas Vetingut është radha e ndëshkimeve për të gjithë, sepse Vetingu nuk është thjesht pastrimi i llumit nga Pallati i Drejtësisë, po mjeti për të garantuar një sistem drejtësie që të bëjë drejtësi.

Për të gjithë e pa dallim”.

Ndëshkimin për gjyqtarët dhe prokurorët, që s’kualifikohen nga Vetingu e ka publikuar edhe kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale duke i kujtuar atyre se një fazë e dytë ndëshkimore do të nisë shumë shpejt./abcnews.al