Shtetet e Bashkuara e kryen një rund të ri sulmesh ajrore ndaj shënjestrave ushtarake në Iran më 10 qershor, duke nxitur Teheranin të kryejë sulme hakmarrëse kundër shënjestrave ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt.
Komanda Qendrore e SHBA-së, CENTCOM, tha se forcat e saj kryen sulme të tjera “vetëmbrojtëse”, duke goditur kapacitetet iraniane të mbikëqyrjes ushtarake, sistemet e komunikimit dhe pozicionet e mbrojtjes ajrore në mbarë Iranin.
Operacioni përfshiu mjete të Korpusit të Marinës së SHBA-së, Forcave Ajrore dhe Marinës Ushtarake, të cilat përdorën municione me precizion të lartë kundër caqeve që Uashingtoni tha se përbënin kërcënim për forcat amerikane dhe për transportin tregtar ndërkombëtar në ujërat e rajonit.
“Sulmet janë përgjigje ndaj agresionit të pajustifikuar dhe të vazhdueshëm të Iranit”, tha CENTCOM në një deklaratë në orët e para të 11 qershorit, duke shtuar se forcat amerikane janë “syhapur, të fuqishme dhe të gatshme”.
Menjëherë pas kësaj, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftuan se kishin goditur shënjestrat ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane.
Në një deklaratë, IRGC tha se kishte goditur 18 caqe të lidhura me ushtrinë amerikane në dy valë operacionesh kundër bazave ajrore “Ali Al Salem” dhe “Ahmed Al Jaber” në Kuvajt. Sipas tyre, forcat iraniane goditën gjithashtu bazën ajrore “Sheikh Isa” në Bahrejn.
Zyrtarët amerikanë nuk kanë njoftuar për shkallën e dëmeve të mundshme, ndërsa ndikimi i sulmeve mbeti i paqartë.
Ministria e Brendshme e Bahrejnit tha se sirenat për sulme ajrore ranë në gjithë mbretërinë e Gjirit për herë të dytë dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve të qëndrojnë të qetë dhe të lëvizin drejt vendit më të afërt të sigurt.
Ndërkohë, autoriteti i aviacionit civil të Kuvajtit njoftoi më 11 qershor se hapësira ajrore e vendit është rihapur dhe se trafiku komercial është “kthyer në normalitetit”, pasi një seri sulmesh iraniane shkaktoi mbylljen e tyre të përkohshme.
Përplasja e fundit përbëjnë përshkallëzim të ndjeshëm të konfrontimit midis Uashingtonit dhe Teheranit, duke rritur shqetësimet për paqëndrueshmëri më të gjerë në rajonin e Gjirit dhe për kërcënime ndaj infrastrukturës energjetike dhe rrugëve tregtare detare.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të armiqësive, duke paralajmëruar se Lindja e Mesme po zhytet “gjithnjë e më thellë në krizë” dhe se pasojat shtrihen shumë përtej rajonit.
Një ditë më parë, sulmet ajrore amerikane goditën disa shënjestra në Iran si përgjigje ndaj Iranit për rrëzimin e një helikopteri të ushtrisë amerikane në Ngushticën e Hormuzit. Më pas, Irani kreu sulme ndaj bazave amerikane në rajon, në një kundërpërgjigje.
Sulmet e 10 qershorit ndodhën vetëm pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u tha gazetarëve se “ne i goditëm fuqishëm dje dhe do t’i godasim përsëri fuqishëm sot”./REL


