Dede: Nesër kthehet një senator, Tirana po u nis nuk ndalet më

schedule12:17 - 24 Nëntor, 2020

schedule 12:17 - 24 Nëntor, 2020

Tirana sfidon nesër Bylisin në atë që është ndeshja e dytë e Nevil Dedes në krye të Tiranës. Bardheblutë janë në një situatë jo të mirë dhe nesër të gjithë presin pikën e kthesës, pavarësisht se kampionët kanë shumë mungesa. Para kësaj sfide në konferencë për shtyp doli Dede, që preku thuajse të gjitha çështjet e nxehta në klub.

3 HUMBJE RADHAZI – “Është e vërtetë që rezultatet nuk janë të mira, sidomos për objektivat dhe historinë e klubit tonë. Mendoj se grupi është i qetë. Në këto momente që ne flasim, na takon të marrim më shumë përgjegjësi që të rikthehemi sa më shpejt te rezultatet pozitive dhe më pas çdo gjë të marrë rrugën që i takon këtij klubi”.

NDAJ BYLISIT – “Unë e kam thënë dhe do ta them gjithmonë, që kam respekt për çdo ekip, për çdo kundërshtar që ne kemi në Superligë. Të gjithë mundohen të investojnë dhe të punojnë. Në këtë situatë të gjithë dinë të luajnë futboll.

 

Nga ana profesionale të gjithë klubet janë rritur dhe kjo është shumë pozitive, plus edhe infrastruktura dhe interesimi i medieve. Me respektin që kemi karshi kundërshtarëve, do të mundohemi t’iu imponohemi në fushë, me personalitet”.

REAGIMI – “Të jem i sinqertë forca e reagimit të grupit, ishte arma më e fortë dhe sinjali më i mirë që mora nga ekipi dhe djemtë. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë me atë forcë karakteri. Jo më larg se sezoni i kaluar kjo ishte arma më e fortë e tyre. Ata besonin dhe në fund ja dolën. Tirana po u nis është e vështirë të ndalojë”.

VLLAZNIA – “Është një fillim jo i mirë, por nga ndeshja me Vllazninë, unë do të thoja vetëm kaq, ne nuk dolëm nga ajo ndeshje si humbës sepse u munduam të bëjmë lojën tonë, shkuam te goli disa herë. Goditëm portën, shënuam 2 gola. Por për elementë të situatave të ndryshme dhe jo shumë të vështira, ne duhet të kishim pasur përqendrim më të madh”.

 

QENDËRMBROTËSIT – “Klubi është munduar për mirë me elementët që ka afruar, për të qenë gjithmonë pretendent dhe faktor në futbollin shqiptar. Faktikisht ka shumë lojtar të rinj. Unë do të thoja se mbi të gjitha duhet kohë për këtë skuadër.

Pa harruar asnjëherë qëllimin apo objektivin madhor që kemi. Krahas qëllimit dhe objektivit madhor që kemi, do të mundohemi të rrisim dhe këta lojtarë. Mosha mesatare është relativisht e re”.

NDESHJA – “Qëllimet janë të përbashkëta. E rëndësishme është që ne të mundohemi të marrim maksimumin nga çdo ndeshje. Duke marrë maksimumin, edhe lojtarët rriten në përgjithësi dhe në mentalitet. Paralelisht ne do të mendojmë për rezultatin dhe rritjen e lojtarëve me kapacitet dhe vlerat që ata duhet të jenë”.

RIKTHIME? – “Lajm i mirë është që Hoxhallari rikthehet. Kemi disa lojtarë që shpresojmë që shumë shpejt të rikuperohen dhe  të bëhen pjesë e rëndësishme e skuadrës. Realisht kanë vlerë.

I gjithë grupi do kohën e vet. Minimalisht ne do të kërkojmë që brenda javës, të rikuperojmë nga dëmtimi disa futbollistë. Po rikuperuam këta lojtarë do të jetë një Tiranë tjetër”.

 

MENTALITETI – “Nuk ka probleme psikologjike te skuadra. Në momente të caktuar, situata të thjeshta na ndërlikuan ndeshjen. Psikologjia e skuadrës është në nivel maksimal. Fat i madh që e kemi ndeshjen në mesjavë, sepse në fundjavë duhet të punonim më shumë nga ana psikologjike.

Ndërsa kur ndeshja vjen shpejt, ai kapitull është i mbyllur, shkruhet në histori dhe vetëm kaq. Ne do të mendojmë të kthehemi aty ku na takon”.

DUELET AJRORE – “Loja në ajër shpresoj që do të jetë një problem i zgjidhur që këtë ndeshje. Besoj që ne jemi një skuadër që më shumë do të sulmojmë se do mbrojmë. Është në ADN e këtij klubi. Sa më shumë sulmon, aq më pak probleme ke mbrapa.

Vuajtëm në Shkodër, por vetëm kaq. Nuk mendoj se do të ndodhë më. Prandaj janë seancat stërvitore. Pjesa taktike, apo edhe teorike. Që ne të përmirësojmë dhe të rrisim veten në ato situata ku nuk i zgjidhëm si duhet”, u shpreh Dede. /abcnews.al