Hyn në fuqi vendimi për makinat mbi 10-vjeçare  

schedule15:21 - 2 Dhjetor, 2018

schedule 15:21 - 2 Dhjetor, 2018

2 Dhjetori ka shënuar hyrjen në fuqi të vendimit të qeverisë për ndalimin e importit të automjeteve në vendin tonë për qëllime tregtie. Ky vendim i qeverisë erdhi në kuadër të masave kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike dhe reduktimin e shkarkimeve në ajër të ndotësve të gaztë. Ndryshimet ligjore për importin e automjeteve pritet të sjellin edhe ndryshime të mëdha në këtë sektor të tregut.

Prej datës 2 Dhjetor 2018 në Shqipëri nuk lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim autoveturat e përdorura, të prodhuara jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë. Ky vendim, i cili u miratua në datën 26 Tetor të këtij viti, parashikon ndalimin e importit edhe për motorët, autobusët dhe kamionët që janë prodhuar deri në 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në vendin tonë.

Sipas dokumentit lejohen të futen në Shqipëri vetëm 4 kategori automjetesh e më konkretisht autoveturat me kilometrazh zero që përmbushin normën EURO 5, autobusët dhe kamionët M2 dhe N1 me kilometrazh zero, si dhe autoveturat e përdorura që janë regjistruar më parë për qarkullim në një shtet tjetër, që përmbushin normën EURO 4 të BE, të prodhuara jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri. Kategoria e katërt që do të mund të regjistrohen janë mjetet e tjera motorike motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, të përdorura, të cilat përmbushin normën EURO 3 duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.

Ndërkohë automjetet, të cilat tashmë kanë hyrë në territorin shqiptar, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 Mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme, pas kësaj date nuk do mund të regjistrohen. Vendimi i datës 2 Dhjetor ka sjellë mjaft pakënaqësi nga personat që merren me importin e automjeteve si dhe pritet të sjellë ndryshime të mëdha në tregun e automjeteve në vend, duke qenë se pjesa më e madhe e këtij tregu dominohet nga makina të prodhuara para vitit 2009./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!