Nuk ka kohë për pushim te Manchester City. Ekipi i Pep Guardiolës siguroi kualifikimin në gjysmëfinalet e Champions League në mesjavë, teksa do të ketë përballë PSG në stacionin e fundit përpara mbërritjes në finalen e madhe.
Nesër zhvillohet gjysmëfinalja e FA Cup kundër Chelsea në mitikun “Wembley” (18:30). Një tjetër ndeshje e rëndësishme, por Pep Guardiola ankohet në lidhje me kalendarin e ngjeshur dhe kohën e paktë për të pushuar.
“Do doja të kisha më shumë ditë pushim për të shijuar kualifikimin në gjysmëfinalet e Champions dhe të rikuperonim energjitë e shpenzuara, por programi mbetet program. Kështu është kur je në garë në çdo kompeticion.
‘Poker’ trofesh në fund të sezonit? Unë jam i përqendruar vetëm te stërvitja e ditës së sotme dhe ndeshja e nesërme ndaj Chelsea. Pjesa tjetër nuk më intereson fare“, deklaroi në konferencën për shtypin trajneri spanjoll. /abcnews.al