Superiorja rikthehet sot me duele mjaft të rëndësishme, ndërkohë luhen tre ndeshje edhe në Kategorinë e Parë. Partizani-Teuta veçohet nga të tjerat dhe do të zhvillohet prej orës 16:00, në stadiumin “Elbasan Arena”. Të kuqtë, me inatin e eliminimit nga Kupa dhe lodhjen e akumuluar në 120 minuta, do tentojnë të mposhtin durrsakët rivalë për titull.
Për t’u parë edhe dueli i Laçit kryesues në shtëpi. Skuadra e Shpëtim Duros duhet të rigjenerojë energjitë dhe të përballet me Tiranën e “plagosur” në derbi, por të freskët fizikisht. Bardheblutë kanë fituar edhe më parë në Laç, ndaj pritet një duel i fortë.
Vllaznia luan në transfertë, kundër Kastriotit që ndali javën e shkuar Teutën. Krutanët duan të sigurojnë mbijetesën sa më shpejt, kurse skuadra e drejtuar nga gjermani Thomas Brdaric të rikthehet te fitorja që mungon prej javësh.
Bylisi, pas fitores në Shkodër, do tentojë të mundë në Ballsh Kukësin e “trullosur” nga eliminimi në Kupën e Shqipërisë. Këtë javë luhet edhe një finale mbijetese, mes Apolonisë dhe Skënderbeut. Barazimi nuk vlen për asnjërën skuadër, nisur nga diferenca me Bylisin e vendit të tetë.
Në Kategorinë e Parë ndeshja më e rëndësishme zhvillohet në Lezhë, aty ku Besëlidhja kërkon të reagojë kundër Dinamos. Blutë synojnë tre pikët për të rimarrë vendin e parë, pasi një ditë më parë Burreli mori pikët e plota në shtëpi.
Vora-Veleçiku është dueli tjetër i grupit A, kurse në grupin B është programuar një ndeshje derbi. Elbasani përballet me Turbinën, në kërkim të pikëve të para në këtë sezon të Kategorisë së Parë. / abcnews.al