UEFA ka publikuar rekordet e të gjitha kohërave në Champions League, nga viti 1955 e deri në vitin 2020. Mes 500 klubeve më të suksesshme të Europës nuk mungojnë as ato të Superiores dhe mes tyre Tirana është e renditur më lart se të gjitha, në vendin e 140-të.
Bardheblutë, pjesëmarrës prej vitesh në arenën ndërkombëtare, numërojnë 20 pikë dhe lënë pas Skënderbeun e pozicionuar në vendin e 168. 15 pikë për korçarët, që kanë munguar në edicionet e fundit në Champions, për shkak të dënimit të dhënë nga UEFA.
Në podium nga ekipet e Superiores është Partizani, me 12 pikë që pozicionojnë në vendin e 194-t. Vllaznia renditet në vendin e 276-të, me 6 pikë, po aq sa Dinamo që është e 280-ta. Kukësi, që vitet e fundit ka bërë mirë në arenën ndërkombëtare, zë vendin e 298-të me pesë pikë.
Flamurtari dhe Elbasani, që tani garojnë në Kategorinë e Parë dhe kanë probleme të mëdha, janë klubet e tjera shqiptare (pa marrë parasysh ato në Dardani e Maqedoninë e Veriut) që janë mes 500 ekipeve me ecurinë më të mirë. Në vendin e 367-të janë vlonjatet, kurse verdheblutë janë të 406-ët. /acbnews.al