Vllaznia kryeson kampionatin dhe në janar pritet që të bëjë edhe ndonjë përforcim, në mënyrë që të mund të arrijnë objektivin për të zënë një nga tre vendet e para dhe pse jo të fitojnë edhe titullin kampion.
Në janar me Vllazninë bashkohet mbrojtësi Abdurrahman Fangaj. Ai ka nisur vrapimet dhe kontrata e tij me shkodranët futet në fuqi në pjesën e dytë të sezonit, ndërkohë që një tjetër lojtar që pritet të firmosë është sulmuesi anësor, Elvir Maloku.
Shqiptari i lindur në Kroaci prej kohësh po stërvitet me Vllazninë, por zyrtarisht nuk ka pasur ndonjë njoftim. Nga Vllaznia do të ketë edhe largime. I pari në listë është Eugen Sidorenco, moldavi i afruar janarin e shkuar.
Këtë sezon sulmuesi anësor nuk ka luajtur asnjë minutë dhe kontrata i përfundon në fund të muajit. Në listën e largimeve është edhe Christopher Mandiangu, i cili ka luajtur vetëm në Kupë kundër Elbasanit dhe ka shënuar një gol. /abcnews.al