E qartë që fundi është rebeluar.
Pasi Partizani kaloi Laçin, edhe një tjetër skuadër e rrezikuar realizoi një trimëri të vërtetë duke iu afruar vendeve më të sigurta në renditjen e Superligës.
Vllaznia shfrytëzoi habitatin e saj, stadiumin “Loro Boriçi”, për të mundur 1-0 Elbasanin dhe për t’iu shkëputur sërish pozicionit të fundit në tabelë.
Ishte një përballje shumë e vështirë, nga e cila tifozët shkodranë mund të mos kenë dalë shumë të kënaqur, sepse ndonëse skuadra e tyre e zemrës fitoi, diferenca me elbasanasit e trajnerit Glen Daja, ishte e madhe.
Nuk është se mjaftoi vetëm goli I talentit të ri, Uldedaj, I cili gjithsesi ishte mjaft I bukur si aksion dhe finalizim.
U desh forma e madhe e portierit Jukaj që të ndaloheshin sulmet dhe gjuajtjet e Elbasanit, I cili luajti thuajse me një portë pasi pësoi rrjetën e dizavantazhit.
Deri në këtë duel, trajneri Daja kishte pasur sukses, dhe kjo ishte ndalesa e parë, ndonëse verdheblutë nuk deshën ta pranonin.
Rastet në portën shkodrane në “Loro Boriçi” ishin të shumta dhe vetë reflekset e gardianit kuqeblu, si dhe fati I keq, ndaluan miqtë, të cilët meritonin jo vetëm barazimin, por edhe fitoren.
Me këtë sukses, Vllaznia u ngjit në vendin e shtatë në renditjen e Superligës me 12 pikë, ndonëse diferenca me Partizanin, që është I fundit, është vetëm 2 pikë.
Elbasani është në vend të katërt, me 14 pikë, pra gjithashtu vetëm dy pikë larg shkodranëve, në një tabelë që është tepër e ngjeshur, me përjashtim të dy apo tri skuadrave të para.


