Derbi i kryeqytetit nuk ka fitues. Një takim që pati vetëm luftë sportive dhe u mbyll 0-0, ndërkohë që do të vazhdojë beteja Tirana-Partizani edhe jashtë fushe, për shkak të një rasti të dyshimte për penallti në minutën e 90-të. Në fakt vendimi i arbitrit është i gabuar dhe kjo do konfirmohet edhe nga specialistët e gjykimit. Ky rezultat i shkon më shumë për shtat të kuqve, që kryesojnë kampionatin dhe Tirana vijon pa fitore prej 5 javësh.
NDESHJA – Partizani, me komoditetin e vendit të parë, e nisi lojën i tërhequr, duke tentuar të shfrytëzojë hapësirat që do të linte Tirana pas. Bardheblutë e Nevil Dedes, me një modul 3-4-3 befasues, ishin më kërkues edhe prej faktit që u mungojnë pikët prej rezultateve të javëve të fundit.
Gjithsesi dëshira ishte e pamjaftueshme, pasi rastet e krijuara munguan. Ernest Muçi ishte i izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës, kurse ai që binte në sy ishte Danso me dëshirën e tij dhe presingun lart. Pavarësisht se Tirana drejtonte lojën, rastin më të mirë e kishte Partizani.
Visar Bekaj shpëtoi portën e tij, pas një tentative të Bardhit me kokë dhe në vijim nuk pati më raste dhe pjesa e parë u mbyll pa gola. Në të dytën ritmi në fillim ishte i lartë, por panorama e njëjtë. Pasimi i fundit mungonte dhe kështu edhe rastet. Në disa momente Tirana kishte pretendime për gjykimin.
Kulmi arriti në minutat shtesë, kur Ernest Muçi u rrëzua në zonë pas një dueli dhe stafi teknik i kampionëve në fuqi desh u fut në fushë. Pamjet janë të qarta, por arbitri Juxhin Xhaja mendoi se nuk ishte penallti. Minutat e fundit ishin të luftuara, por gol nuk kishte dhe derbi i kryeqytetit u mbyll në barazim 0-0. /abcnews.al
TIRANA-PARTIZANI 0-0
TIRANA: Bekaj – Vangjeli, Najdovksi, Hoxhallari – Toshevski (Halili 76′), Toli, Batha, Ismajlgeci – Danso, Torassa (Gyamfi 88′), Muçi. Trajner: Nevil Dede
PARTIZANI: Hoxha – Idrizaj, Bitri, Belica, Hakaj – Kote, Broja, Bardhi (Cordeiro 78′) – Solomon, Mala (Cara 88′), Cardoso (Asani 84′). Trajner: Ilir Daja.
Gjyqtarë: Juxhin Xhaja, Denis Rexha, Rejdi Avdo, Nertil Bregasi; Gjyqtarë linje: Kreshnik Bajramaj, Emanuela Rusta.
Kartonë të verdhë: Torassa 36′, Najdovksi 67′, Batha 90′
72′ Toshevksi dëmtohet dhe trajneri Nevild Dede u detyrua të bënte zëvendësimin e parë. Grent Halili në fushë në të 76′.
10 minutat e para të pjesës së dytë kanë ritëm tjetër, me sulme nga të dyja krahët. Gjithsesi mungon pasimi i fundit, për të pasur edhe mundësi shënimi.
26′ Visar Bekaj shpëton Tiranën në rastin e parë të rrezikshëm. Jurgen Bardhi ishte protagonist me një goditje me kokë, pas krosimit nga këndi.
17′ Ardit Toli nga jashtë zone jep sinjalin e parë. Mbrojtësi, i pozicionuar në qendër të mesfushës sot, gjuan dhe për portierin Alban Hoxha nuk ka asnjë siklet, duke e kontrolluar topin me lehtësi.
15 minutat e para nuk prodhojnë asnjë rast, vetëm luftë sportive mes lojtarëve të të dyja skuadrave.