Dokumetet origjinale që mbajnë në duar thonë se vërtetojnë akuzat që rreth një vit më parë ia artikuluan edhe nga foltorja e parlamentit, por që ministri i Brendshëm iu kundërpërgj duke i sfiduar.
Enkelejd Alibeaj: “Faktet dhe provat e dënimit të vëllait të Ministrit të Brendshëm janë në dy ekrane”.
Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, është dënuar nga gjykata e kasacionit të Italisë në 25 Shtator 2012 me 7 vite e dy muaj burg. Dosjen e bëri publike Partia Demokratike, ku vëllai i Fatmir Xhafajt akuzohet për pjesëmarrje në grup kriminal, të cilët trafikonin mes Europës dhe SHBA-së lëndë narkotike.
Gazment Bardhi: “Në kërkesën e prokurorisë së datës 8 Maj 2002, prokuroria italiane evidenton të gjitha episodet e dokumentuara ku është i përfshirë Agron Xhafaj, duke përmendur trafikimin e 50 kg heroinë, 300 kg kokainë, përsëri 40 kg heroinë, si dhe rastet kur furnizues i drejtpërdrejt i heroinës është Agron Xhafaj. Janë të paktën 8 raste që nga Gjykata italiane e Leçes, është dokumentuar përfshirja e drejtpërdrejtë e Agron Xhafajt në trafik ndërkombëtar të heroinës, kokainës dhe kanabisit.”
Demokratët i drejtojnë disa pyetje ministrit Xhafaj.
Enkelejd Alibeaj: “1) A e ka përfshirë Fatmir Xhafaj vëllain e tij Agron Xhafaj në listën e personave me rekorde kriminale?
2) Pse ai jeton i lirë në territorin shqiptar, ndërkohë që rezulton i dënuar për trafik droge në Itali dhe nuk ka vuajtur asnjë ditë të dënimit të tij?
3) A është ai person i skeduar dhe nën vëzhgim nga Policia e Shtetit për shkak të aktivitetit të tij të mëparshëm në trafikun e drogës?
4) A është familja “Xhafaj” një nga familjet mafioze që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë?
5) A ka operacioni “Forca e Ligjit” ka efekt mbi vëllain e Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj të dënuar për trafik droge, apo ai është i paprekshëm sa kohë Ministër i Brendshëm dhe drejtues i operacionit është Fatmir Xhafaj?
6) Pse nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore Ministri i Brendshëm, për të kërkuar identifikimin e këtij shtetasi dhe për të verifikuar nëse është apo jo i dënuar?
7) Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë?”
Mburojë për mosarrestimin e Agron Xhafajt është bërë i vëllai akuzojnë demokratët, sipas të cilëve, i siguroi jetën e lirë në Shqipëri që nga viti kur u dënua me vendim të formës së prerë.
Enkelejd Alibeaj: “ Ku ka qëndruar? Në Shqipëri, besoj. ”/abcnews.al