Banorët e Korçës janë të terrorizuar nga grabitësit dhe hajdutët. Raste janë shtuar aq sa zyrtarisht raportohen për dy raste në natë. Policia e ka të vështirë të zbuloje apo të kapë autorët.
Nata për korçarët vjen bashkë me frikën e vjedhjeve dhe grabitjeve. Askush nuk është i sigurt. Kush ka një shtëpi, biznes apo makine, është i rrezikuar dhe ekspozuar ndaj fenomenit, që po merr përmasa alarmante. Në Korçë dhe rrethina, denoncohen mesatarisht 2 vjedhje apo grabitje çdo natë. Policia është e pafuqishme të marrë nën kontroll situatën e pazakontë.
Grabitësit, të cilët dyshohet të jenë të organizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal, po terrorizojnë bizneset dhe tregtarët, duke ju vjedhur shuma të konsiderueshme parash.
Mekanizmi i kryerjes së grabitjeve, është i njëjte dhe fillon me neutralizimin e rojeve, për të përfunduar me vjedhjen e kasafortave dhe fshirjen e çdo gjurme, duke marrë serverat e kamerave të sigurisë.
Për policinë është bërë e pamundur rënia në gjurmë dhe identifikimi i autorëve, të cilet veprojnë të maskuar dhe armatosur dhe janë mjaft të kujdesshëm në zhdukjen e provave.
Hajdutët ordinerë nuk kanë shumë pretendime. Nëse nuk gjejnë para ose sende të çmuara, marrin ç ‘të mundin, nga pasqyrat e makinave, tapetet, elektroshtëpiaket, deri tek mishi dhe cigaret.
Shtëpitë e emigranteve, në të cilët nuk banon njeri apo shtëpitë e të moshuarve, që kanë familjarët në emigracion, sulmohen më së shumti nga grabitësit.
Ndërsa shifrat e krimeve ndaj pasurisë rriten frikshëm, niveli i zbulueshmërisë, mbetet shqetësues për vjedhjet ordinere dhe zero për grabitjet.
Gazetare e ABC News, Korçe: Daniela Zisi