Të shtëna me armë pranë një shkolle të mesme kanë tronditur Turqinë, ndërsa të paktën katër persona raportohet se janë plagosur në sulmin e së martës në provincën Manisa.
Sulmi ndodhi pranë një shkolle të mesme profesionale dhe teknike në distriktin Turgutlu, njoftoi zyra e guvernatorit të Manisës. Pas të shtënave, në vendngjarje u dërguan forca të policisë dhe ekipe mjekësore.
Sipas kanalit HaberTürk, të paktën katër persona, shumica prej tyre nxënës, mbetën të plagosur. Mediat turke raportojnë se autori qëlloi me armë gjahu ndaj nxënësve që po mbërrinin në shkollë.
Deri tani, nuk dihet motivi i sulmit, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave.
Ngjarja vjen në një periudhë kur Turqia është përballur me disa incidente të rënda me armë në shkolla.
Në prill, një nxënës 14-vjeçar hapi zjarr në dy klasa të një shkolle në provincën Kahramanmaraş, në juglindje të vendit. Sulmi la të vrarë nëntë nxënës dhe mësues, ndërsa 13 persona të tjerë u plagosën. Autori u vra nga policia.
Një ditë më herët, në provincën fqinje Şanlıurfa, 16 persona, shumica nxënës, u plagosën pasi një ish-nxënës hapi zjarr në një shkollë të mesme. Sulmuesi më vonë vrau veten.

