Policia turke ka arritur të zbulojë një plan për sulm terrorist natën e ndërrimittë viteve në Ankara. Në pranga kanë përfunduar 29 persona ndërkohë që është sekuestruar dhe eksploziv.
29 të dyshuar si militantë terroristë janë vënë në pranga nga policia turke, pjesa më e madhe e tyre nuk janë shtetas turq. Operacionet e policisë u kryen në Ankara, ndërsa bëhet e ditur se të arrestuarit planikfikonin një sulm terrorist natën e ndërrimit të viteve.
Sipas agjencisë së lajmeve Anadoll, nga materialet e sekuestruara u zbulua se ata kishin vendosur pikat ku do sulmonin. Një vit më parë në natën mes 31 dhjetorit dhe 1 janarit një person i armatosur qëlloi me armë zjarri në një lokal nate në Stamboll duke vrarë 39 persona.
Rreth 500 agjentë policie morën pjesë në operacion ndërkohë që ishin lëshuar dhe 17 mandate të tjera arresti për të dyshuar të tjerë. Të enjten 38 persona të tjerë të akuzuar për lidhje me ekstremistët islamikë, mes të cilëve dhe shtetas sirianë, u arrestuan nga njësia anti terror në provincën veri perëndimore të Bursës. Autoritetet turke kanë ashpërsuar masat e sigurisë në prag të festimeve për ndërrimin e viteve.
Autoritetet turke kanë dyfishuar numrin e agjentëve të policisë në shërbim në Stamboll duke e cuar në 37 mijë numrin e atyre që do jenë në gatishmëri. Njëkohësisht janë anulluar festimet publike për vitin e ri në zonat kryesore të qytetit për arsye sigurie./abcnews.al