Kukësi fiton lehtësisht me Egnatian, Laçi është skuadra anti-Tirana

schedule15:43 - 6 Shkurt, 2022

schedule 15:43 - 6 Shkurt, 2022

Kukësi ka arritur të reagojë menjëherë pas humbjes me Tiranën, duke marrë 3 pikë kundër Egnatias në stadiumin “Arena Egnatia”. Verilindorët triumfuan 2-0, ku për çdo pjesë u shënua nga një gol.

Në pjesën e parë ishte Shqiprim Taipi 30’, i cili merr një krosim perfekt nga Edi Basa për të mposhtur kështu edhe portierin Puja.

Në fillim të pjesës së dytë ishte Edison Greca i cili përmbylli një aksion fantastik, të nisur nga vetë ai dhe përfunduar po nga Ndreca, me topin që gjen rrugën e rrjetës.

Egnatia nuk mundi të bënte asgjë përballë verilindorëve të cilët kërkonin me patjetër kthesën në këtë sfidë.

Me këtë fitore Kukësi i Diego Longos shkon në kuotën e 34 pikëve, ndërkohë Egnatia e Zekirija Ramadanit vazhdon të ngelet në zonën e ftohtë më 16 pikë.

Edhe sfida tjetër mes Laçit dhe Vllaznisë përfundoi në shifrat 1-0. Një duel i luftuar mes të dyja skuadrave të cilat kërkonin me ngulm të “pushtonin” njëra-tjetrën.

Shkodranët ishin të pafat në këtë duel, ndërsa kujtojmë së në pjesën e parë iu anulua goli i avantazhit nga sistemi VAR-i.

Nga kjo përfitoi Laçi i cili në minutën e 68-të arrin të gjejë avantazhin me atë të Guindo, që në këtë mënyrë i jep 3 pikë më shumë vlera skuadrës së tij, që tani cilësohet edhe si ekipi anti-Tirana.

Kurbinasit janë 37 pikë, vetëm -6 nga Tirana kryesuese, ndërkohë nga ana tjetër Vllaznia e Thomas Brdaric ngelet në kuotën e 30 pikëve. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!