Vrasja e Devi Kasmit dyshohet për shkak të prishjeve të pazareve të drogës

schedule15:15 / 30/01/2018

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim një person në lidhje me ekzekutimin e 42-vjeçarit, Devi Kasmi. I dyshuar është Domart Konjari, të cilin Kasmi ka tentuar ta vrasë në Spanjë, vend nga i cili kishte pak kohë që ishte kthyer.

Ekzekutimi mafioz i Devi Kasmit në Tiranë mbrëmjen e së hënës ka rikthyer edhe një here në qendër të vemëndjes historitë e vjetra të përplasjeve mes grupeve kriminale në kryeqytet.

Policia edhe pse jo zyrtarisht, pohon se atentati mund të ketë ndodhur për shkak të trafikut të drogës jashtë territorit Shqiptar, konkretisht në Spanjë e Francë.

Defrim Kasmi ose Devi Kasmi ka qenë një personazh i njohur për policinë e Tiranës. Ai ishte hetuar për disa atentate të bujshme të ndodhur në kryeqytet disa vite më parë. Një ndër to ishte edhe ekzekutimi i Franc Konomit në vitin 2010, në vijim të përplasjeve të bandave të rrugës “Bardhyl” në kryeqytet. 42-vjeçari ndërkohë rezulton i dënuar nga Gjykata për falsifikim pasaporte.

Dyshimet e uniformave blu janë se 42-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga Spanja, ndërsa mësohet se atje ka tentuar të vrasë Domart Konjarin. Emir i këtij të fundit ka çuar në dyshimin e policisë që mund të ketë qenë Konjari porositësi i vrasjes së Kasmit. Konjari vijon të jetë në arrati prej vitit 2016, ku është dënuar me 10 vite burg nga drejtësia Franceze lidhur me trafikun e kokainës në Marsejë.

Fakti që iu gjetën 3 kilogram kokainë në banesën e Devi Kasmit përforcon edhe më shumë pistën e uniformave blu se, viktima ishte i lidhur me shpërndarjen e drograve të forta si në Shqipëri e po, kështu edhe në Spanjë e Francë.

Deri më tani 7 persona u shoqëruan në komisariatin e policisë së Tiranës, të cilët pasi dhanë deklrarimet e tyre u lane të lire. Ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë nga ekspertët e krimeve të rënda për të zbuluar më shumë të dhëna që mund ti çojnë ekspertët drejt zbulimit të autorëve të mundshëm. /abcnews.al

schedule15:15 / 30/01/2018