Krimi ka tronditur Kosovën. Vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar dy vrasje.
E para në zonën e njohur si Bregu i Diellit në Prishtinë, me viktimë Agron Hajdarin, rreth të 30-tave, i njohur me nofkën “Radulla”.
I dyshuari për eleminimin e tij është ende në arrati ndërsa policia dyshon se shkak për krimin është bërë një borxh që autori i kishte viktimës.
“Radulla” nuk është një emër i panjohur për organet e rendit dhe as për sportdashësit. Ai ka qenë anëtar i grupit të tifozëve “Plisat”.
Këta të fundit kanë postuar në rrjetet e tyre sociale postimin me mbishkrimin:
Fli i qetë Goni, Ultrasit nuk vdesin kurrë!
Fqinjët i kanë dëgjuar krismat, ndërsa për Radullën thonë se në lagje ka qenë i qëtë.
“Radulla” u vra afër vendit ku qëndronte zakonisht, ndërsa banesën e ka pasur vetëm pak më larg vendit të ngjarjes.
Ndërsa në Mitrovicë, një 37 vjeçar ka humbur jetën po ashtu mbrëmjen e së mërkurës në Lagjen e Romëve, ndërsa vëllai i tij ka mbetur i plagosur.
I dyshuari për krimin është identifikuar si Arben Spasolli, ndërsa viktima Erduan Ibrahimi ka humbur jetën në vendin e ngjarjes për shkak të goditjeve me thikë. I vëllai i tij Shaban Ibrahimi, është jashtë rrezikut për jetën
Sipas njoftimit të bluve në Kosovë, shkak për krimin në Mitrovicë është bërë një mosmarrëveshje e çastit.


