Një tragjedi e rëndë ka tronditur komunitetin e Grand Haven, në shtetin e Michiganit, SHBA, ku autoritetet dyshojnë se një 47-vjeçar vrau gruan dhe gjashtë fëmijët e tyre, i vuri flakën banesës familjare dhe më pas i dha fund jetës së tij.
Sipas autoriteteve, trupat e Amanda Karolkiewicz, 39 vjeçe, dhe gjashtë fëmijëve të çiftit, të moshës nga 5 deri në 15 vjeç, u gjetën nga zjarrfikësit pasi shkuan në vendngjarje për të shuar një zjarr në banesë. Rezultatet paraprake të autopsisë tregojnë se Amanda dhe fëmijët u vranë me armë zjarri, ndërsa Christopher Karolkiewicz dyshohet se kreu vetëvrasje.
Zyra e Sherifit bëri të ditur se zjarri ishte vënë qëllimisht në disa pjesë të shtëpisë pas vrasjeve, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar saktësisht se si nisi zjarri. Në banesë u gjetën gjithashtu të ngordhura kafshët shtëpiake të familjes, përfshirë qentë dhe të paktën një mace.
“Kjo është një tragjedi e papërshkrueshme që mund të mos e kuptojmë kurrë plotësisht”, deklaroi Sherifi Eric DeBoer gjatë një konference për shtyp.
Zjarrfikësit kishin marrë më herët telefonata për erë tymi në zonë, por gjatë kontrollit të parë nuk konstatuan asgjë të pazakontë. Rreth tre orë më vonë, pas raportimeve të tjera, ata u rikthyen dhe gjetën shtëpinë në flakë, ku më pas zbuluan viktimat.
Amanda Karolkiewicz punonte si mësuese zëvendësuese në një shkollë fillore dhe u kujtua nga familjarët si një nënë e përkushtuar dhe një person me zemër të madhe. Ndërkohë, Christopher Karolkiewicz kishte punuar deri në fillim të muajit korrik si nënkryetar i shitjeve dhe marketingut në një kompani që merrej me produkte dhe trajnime për ndihmën e parë.
Sipas mediave amerikane, çifti ishte njohur në vitin 2008 dhe ishte martuar një vit më vonë. Amanda kishte ndarë për vite me radhë momente nga jeta familjare në një blog personal dhe më pas në rrjetet sociale, ku shpesh fliste për besimin e saj, fëmijët dhe jetën familjare.
Megjithatë, raportime të fundit bëjnë të ditur se në vitin 2024 ajo kishte publikuar në mënyrë anonime në platformën Reddit për vështirësitë në martesën e saj, duke përmendur tradhtinë e bashkëshortit dhe sfidat emocionale që kishte përjetuar. Në një prej postimeve ajo shkruante se kishte vendosur të qëndronte në martesë për hir të gjashtë fëmijëve të tyre.
Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e kësaj tragjedie, ndërsa komuniteti lokal mbetet i tronditur nga një nga ngjarjet më të rënda familjare të viteve të fundit.



