Një anije cisternë që transportonte deri në 7 mijë tonë naftë dizel është mbytur në brigjet e ishullit të Ibizës në Spanjë. Si pasojë, një anëtar i ekuipazhit ka humbur jetën, ndërsa autoritetet kanë nisur vlerësimin e dëmeve të mundshme në mjedisin detar.
Anija “Med Emre”, e cila lundronte nën flamurin e Maltës, kishte në bord 17 persona. Të gjithë anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan, por shtatë prej tyre u dërguan në spital. Njëri ndërroi jetë më vonë, ndërsa gjashtë të tjerët kanë marrë trajtim për lëndime të lehta, kryesisht për shkak të hipotermisë, raportojnë mediat spanjolle.
Sipas autoriteteve, anija nuk është fundosur plotësisht dhe një pjesë e saj vijon të qëndrojë mbi ujë. Kjo e bën më të lehtë ndërhyrjen për rikuperimin e saj dhe për kontrollin e situatës.
Për të vlerësuar ndikimin e mundshëm në mjedis, në zonë janë angazhuar një avion dhe anija spanjolle “Clara Campoamor”, e specializuar në kontrollin e ndotjes detare.
Presidentja e Ishujve Balearikë, Marga Prohens, deklaroi se ende nuk ka informacion të mjaftueshëm në lidhje me mundësinë e rrjedhjes së karburantit në det.
Anija u mbyt rreth 46 kilometra larg brigjeve të Ibizës dhe 57 milje detare nga qyteti i Valencias. Ajo ishte nisur nga Algeciras, në jug të Spanjës, dhe kishte si destinacion Barcelonën.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, autoritetet morën sinjalin e emergjencës rreth orës 22:30 të së mërkurës. Pak minuta më vonë, ekuipazhi njoftoi për një rrjedhje në anije dhe raportoi se ajo ishte anuar në një kënd prej 90 gradësh.
Shkaku i aksidentit ende nuk është bërë i ditur.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për një ndotje të mundshme të detit, pasi zona përreth Ibizës është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që prej vitit 1999. Aty gjenden livadhe të mëdha nënujore të bimës “Posidonia oceanica”, e cila është shumë e rëndësishme për jetën detare dhe ruajtjen e biodiversitetit në Mesdhe.
Spanja ka përjetuar edhe më parë një katastrofë të rëndë mjedisore të shkaktuar nga një anije cisternë. Në vitin 2002, anija “Prestige” u fundos pranë brigjeve të Galicisë, duke derdhur në det më shumë se 60 mijë tonë naftë të rëndë dhe duke shkaktuar një nga ndotjet më të mëdha detare në historinë e vendit.



