GJKKO ka dhënë vendimin për fraksionin “Veliaj”, për të pandehurit që kanë përfituar gjykim të shkurtuar.
Sipas vendimit, Elman Abule është shpallur fajtor për pastrim parash më shumë se një herë, në bashkëpunim, dhe është dënuar me 7 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është ulur në 4.8 vite burg.
Fatmir Bektashi është shpallur i pafajshëm, ndërsa është hequr edhe masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”.
Ina Goxhaj është shpallur fajtore për korrupsion aktiv dhe pastrim parash. Ajo është dënuar me 7 vite burg, dënim që me gjykim të shkurtuar është ulur në 4.8 vite. Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe kalimin e saj në shërbim prove për 5 vite.
Klotilda Bushka është shpallur fajtore dhe është dënuar me 200 mijë lekë gjobë.
Adela Kondakçiu është shpallur fajtore për pastrim parash dhe është dënuar me 7 vite burg, të ulura në 4.8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ajo është përjashtuar nga vuajtja e dënimit, në cilësinë e bashkëpunëtores së drejtësisë.
Fatjon Baçi është shpallur fajtor dhe është dënuar me 5 vite burg, të reduktuara në 3.4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe kalimin e tij në shërbim prove për 4 vite.
Ndërkohë, Flutura Xhani është shpallur e pafajshme, ndërsa Frosina Bollo është shpallur fajtore dhe është dënuar me 1 vit burg, të reduktuar në 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Edhe për të është vendosur shërbimi i provës.
GJKKO ka marrë vendim edhe për shoqëritë dhe organizatën jofitimprurëse të përfshira në këtë proces:
Shoqëria Rametal: 12 milionë lekë gjobë, e cila duhet të paguhet brenda 6 muajve.
Shoqëria Kontakt: është shpallur e pafajshme.
OJF Frobolus: 333 mijë lekë gjobë.
Në pretencën e tij, SPAK kishte kërkuar dënime të ndryshme për të pandehurit dhe subjektet juridike.
Për Elman Abulen ishte kërkuar 7 vite burg, ose 4.8 vite pas gjykimit të shkurtuar. Për Fatmir Bektashin ishte kërkuar 1 vit burg, i konvertuar në 8 muaj punë në interes publik.
Për Ina Goxhajn ishte kërkuar 7 vite burg, të reduktuara në 4.8 vite, me pezullim të ekzekutimit dhe shërbim prove për 5 vite. Për Klotilda Bushkën ishte kërkuar gjobë prej 600 mijë lekësh, e cila pas reduktimit do të ishte 400 mijë lekë.
Për Adela Kondakçiun SPAK kishte kërkuar 7 vite burg, të reduktuara në 4.8 vite, si dhe përjashtimin nga vuajtja e dënimit. Për Fatjon Baçin ishte kërkuar 5 vite burg, të reduktuara në 3.4 vite, me pezullim të ekzekutimit dhe shërbim prove.
Sa u përket të pandehurve të tjerë, SPAK kishte kërkuar 60 mijë lekë gjobë për Flutura Xhanin, të reduktuar në 40 mijë lekë, ndërsa për Frosina Bollon kishte kërkuar 1 vit burg, të konvertuar në 8 muaj shërbim prove.
Për subjektet juridike, SPAK kishte kërkuar 18 milionë lekë gjobë për shoqërinë Rametal, 800 mijë lekë për shoqërinë Kontakt dhe 500 mijë lekë për OJF-në Frobolus.



