Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mund të vijojnë të mbajnë pa afat përfundimtar bllokadën detare ndaj Iranit, me Washingtonin që kërkon të shtojë presionin ekonomik ndaj Teheranit, në një kohë kur negociatat për armëpushim kanë ngecur, furnizimet globale me naftë po bien dhe tensionet në Lindjen e Mesme po përshkallëzohen. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se ushtria amerikane ka kapacitetin për të ruajtur një prani detare në rajon për të zbatuar bllokadën ndaj porteve dhe transportit iranian.
“Në mënyrë të pacaktuar, Marina e Shteteve të Bashkuara mund të mbajë një bllokadë të tillë”, deklaroi Hegseth, duke shpjeguar se anijet amerikane mund të zëvendësohen dhe të ketë një rrotacion të vazhdueshëm. Sipas tij, bllokada ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike ndaj Iranit. Në të njëjtën linjë, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi se administrata amerikane planifikon të shtojë ndjeshëm presionin financiar ndaj Teheranit. “Do të ketë njoftime të tjera javën e ardhshme”, tha Bessent, duke paralajmëruar masa që, sipas tij, do të përfaqësojnë një nivel izolimi ekonomik të paprecedentë ndaj një vendi.
Deklaratat amerikane vijnë në një moment kur përpjekjet për të arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës janë futur në ngërç. Në përgjigje të presionit amerikan, Irani ka kërkuar të përdorë si levë strategjike Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Teherani ka deklaruar se ka kontroll mbi ngushticën dhe ka sulmuar disa anije që kanë tentuar të kalojnë nëpër këtë rrugë detare.
Vetëm të enjten, dy anije të kompanisë shtetërore të naftës së Abu Dhabit, ADNOC, u sulmuan teksa po kalonin nëpër Ngushticën e Hormuzit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Emirateve të Bashkuara Arabe,Qeveria e Emirateve e cilësoi incidentin si një sulm iranian. Përmes kësaj ngushtice kalonte, para nisjes së luftës në shkurt, rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm të tregut botëror.
Trafiku detar në Hormuz ka rënë ndjeshëm. Të martën u regjistruan vetëm 8 anije, kundrejt një mesatareje prej rreth 12 anijesh në dhjetë ditët e mëparshme dhe 130–140 anijeve përpara luftës. Presidenti amerikan, Donald Trump, po përballet gjithashtu me presion të brendshëm për t’i dhënë fund konfliktit, i cili është bërë gjithnjë e më jopopullor në Shtetet e Bashkuara. Rritja e çmimeve të karburanteve po ndikon në mbështetjen ndaj presidentit dhe mund të ketë pasoja politike për Partinë Republikane në zgjedhjet e Kongresit që zhvillohen në nëntor./abcnews.al


